Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, foli për propozimin e PD lidhur me reformën territoriale, ndërsa shtoi se opozita duhet të vijojë konsultimin e propozimit të saj me bashkitë e vendit.
Balla nuk dha një përgjigje nëse Partia Socialiste do ta votojë propozimin e PD-së më 8 tetor, por shtoi se vendimi për qëndrimin e socialistëve do të varet nga puna e Komisionit të Ligjeve
“Komisioni i Ligjeve po bën një punë të shkëlqyer. Përshëndes faktin që PD-ja ka kuptuar që në demokraci konkurrohet me propozime. Ka ardhur një propozim. Në ligj përcaktohet që çdo lloj drafti që vjen për ndryshime në hartën administrative-territoriale duhet t’u shkojë këshillave bashkiakë”, tha Balla.
Sipas tij, edhe propozimi i opozitës duhet t’i nënshtrohet këtij procesi konsultimi përpara se të vijojë procedurën parlamentare.
“Në vlerësimin tim, para se t’i bashkohet procedurës parlamentare, duhet t’i bashkohet të njëjtit proces. Nuk është faji im që këta të shkretët janë gjithnjë të vonuar. Në rastin tonë, procedura parlamentare i ka plotësuar të gjitha afatet”, u shpreh ai.
Balla theksoi se nëse Komisioni i Ligjeve e përfundon shqyrtimin e draftit, atëherë ai mund të kalojë për votim në seancë plenare, sipas kalendarit të Kuvendit.
“Nëse Komisioni do ta mbyllë, kalendari i Kuvendit parashikon datën 8”, tha Balla.


