Hajdari: Beteja jonë, rrëzimi i paktit të 2008-s

POLITIKË


Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë Rudina Hajdari, në seancën parlamentare të mbajtur të hënën pasdite ka vendosur theksin te tryeza e OSBE-së për reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit elektoral, duke kërkuar. Ajo tha se kjo është beteja e opozitës parlamentare, për të zhbërë marrëveshjen e 2008 në mënyrë që mos vendosin më 3 njerëz për deputetët në Kuvend, por qytetarët.

“Rregullorja e re ka sjellë këtë risi, që në një seancë të flasim për zgjedhësit tanë. Jo shumë larg, javën që kaloi udhëhoqëm një tryezë gjithëpërfshirëse me shumicën, partitë jashtë parlamentit dhe shoqërinë civile për ndryshimin e sistemit. Kjo është beteja e drejtë, është momenti i duhur për të ndryshuar sistemin për të parë një kuvend që përfaqëson më mirë Kuvendin. Edhe socialistët t’i bashkohen. Marrëveshja e 2008 është ajo që opozita parlamentare do të zhbëjë dhe të fundosë në fund të historisë, pasi ka mbajtur vendin peng, pasi 2-3 individë nuk lëshojnë pe. Kjo kauzë e drejtë do të marrë udhë, do të luftojmë deri në fund. Ne duam të ndalojmë të inkriminuarit nga pushteti, të ndëshkojmë ata kryetarë partish që kanë futur njerëz të lidhur me krimin dhe e kanë çuar cilësinë e deputetit në një nivel që nuk e ka parë në 30 vitet e fundit. Reforma zgjedhore nuk ka të bëjë vetëm me rekomandimet e OSBE-së, por nuk do të jetë e vetmja pikë, presim një paketë më të madhe, që ndryshimi i sistemit zgjedhor të ndodhë sot. Presim që socialistët t’i bashkohen kësaj nisme. Ne duam që shqiptarët të vendosin për Kuvendin, pasi do të jenë më llogaridhënës më pas dhe më të pavarur ndaj mendimeve të tyre”, deklaroi Hajdari në seancën e parë, ku u diskutuan hallet e popullit, një nismë e re e Kuvendit të Shqipërisë.


Duke folur për reformën zgjedhore, Hajdari u kërkoi ndjesë që zgjodhi atë moment për të folur për këtë çështje, duke qenë se seanca u përket halleve të qytetarëve, por sipas saj, kjo është edhe ajo që u jep më shumë mundësi qytetarëve për të zgjedhur deputetët. Po ashtu, ajo vuri theksin edhe te forca e gruas në pushtet, kur deklaroi se pavarësisht se ka shumë gra të emëruara pushteti vijon të përqendrohet te një person i vetëm. “Ky kabinet qeveritar pavarësisht se përbëhet nga gratë, por nuk kanë shumë pushtet, pasi vendosen për të krijuar disa hapësira boshe që pushteti të koncentrohet vetëm te një njeri. Ne jetojmë në një shoqëri tepër maskiliste”, tha Hajdari.




Skip to toolbar