Frika e një marrëveshje Basha-Rama për reformën zgjedhore, pa marrë parasysh kërkesat reale të partive të vogla për të ndryshuar sistemin ka rritur mosbesimin e LSI dhe aleatëve të tjerë të Partisë Demokratike. Pikërisht kjo frikë bën që LSI por edhe partitë e vogla aleate me PD, të këmbëngulin të jenë pjesë e mundshme e tryezës së dialogut. Disa ditë më parë Edmond Panariti i LSI por edhe kreu i PR, Fatmir Mediun e bën të qartë se nuk duhet të ketë më një pakt Rama-Basha, por në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore duhet të ketë një përfaqësimin të gjerë të opozitës.
“Dialogu do të jetë si grup opozitar, përfaqësim të integruar të opozitës në bisedën me qeverinë për të gjetur një zgjidhje nga kjo krizë, në fakt jo me qeverinë, por me PS-në. Basha besoj se ka nxjerrë mësime nga një negociatë e ngushtë, që nuk i ngjante një kompromisi, por një pazari.”- ka thënë Panariti në një intervistë, ndërsa një qëndrim të tillë ka mbajtur edhe Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili kërkon që opozita të mos humbë kohë por të ulet me mazhorancën për të dhënë idetë e saj për reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi. “Opozita nuk mund të hyjë në dialog, duke vendosur kushte. Unë e kam thënë me bindje se nuk ulemi me Edi Ramën, por do ulemi me Partinë Socialiste. Këtu duhet të marrë fund historia do ulet Basha me Ramën, këtu duhet të fillojë të ulet pozita dhe opozita, të cilët zgjedhin përfaqësuesit e tyre.” është shprehur Mediu.
Mirëpo kësaj frike përveç aleatëve të PD, e ka edhe opozita parlamentare, e cila disa herë është shprehur se nuk do të lejojë krijimin e një marrëveshje të re Rama-Basha për interesa të tyre personale. Më herët, ka qenë vetë Rudina Hajdari që iu tremb një marrëveshje të tillë duke deklaruar se, “ky marrëveshje e tretë do të ishte fundi i Bashës duke i dhënë pavdekshmërinë në pushtet Ramës”.
Mirëpo nga se lindi kjo frikë për një marrëveshje të re Rama-Basha? E gjitha nga një sinjal që dha Basha për shenja të mundshme dialogu kur foli për një platformë kombëtare mes palëve, ndonëse tentoi të thoshte se nuk ka marrëveshje me Ramën. Frika e arritjes së një marrëveshje mes dy partive të mëdha pa ndryshuar sistemin zgjedhor do të ishte fatale për partitë e vogla. Kërkesa themelore e të gjitha partive dhe grupeve politike për reformën zgjedhore është ndryshimi i sistemit zgjedhor, duke implementuar korrektimin kombëtar të votave. Ky propozim parashikon rritjen e përfaqësimin e partive të vogla në Parlament, duke dobësuar në të njëjtën kohë pozitat e dy partive të mëdha, PD-PS. Korrektimin kombëtar parashikon që votat e parive të vogla nuk shkojnë për të dy partitë e mëdha, por mblidhen në të gjitha zonat dhe prodhojnë mandat. Me sistemin aktual, nëse një parti ka vetëm një votë më pak se sa numri i domosdoshëm për të prodhuar një mandat, të gjitha votat shkojnë për partinë e madhe në koalicion ose për partinë që merr më shumë vota.
Megjithatë duket se partitë politike harrojnë rolin vendimtar të opozitës parlamente. Nëse ka sot një faktor real parlamentar që ka në dorë ndryshimet elektorale dhe kushtetuese, kjo është opozita parlamentare, votat e të cilës kanë vlerë në Kuvend. Opozita parlamentare është e vetmja që mund të ndalë një marrëveshje Rama-Basha dhe e përpjekja për ta injoruar atë mund të rezultojë një dështim.
Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodh realisht me Reformën Zgjedhore dhe tryezën e mundshme të dialogut, ku Basha ende bën sikur nuk do të ulet në tryezë, ndërsa Rama është shprehur i gatshëm të pranojë çdo propozim që merr miratimin nga OSBE/ODIHR./ RealStory.al