“Ne do të vazhdojmë të punojmë për Shqipërinë europiane, duke kryer kushtet e vendosura nga Bunestagu”, ishte një nga gjërat që tha Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp pasditen e të premtes. Këtë pohim, Rama e përforcoi dhe më tej gjatë konferencë, kur deklaroi se brenda këtij viti do të dërgohet për votim në Kuvend, Reforma Zgjedhore, një nga kushtet e Bundestagut.
“Reformën zgjedhore do ta mbarojmë përpara vitit të ri në parlament sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Pas vitit të ri jemi gati të diskutojmë për temat e tjera të reformës, pasi do ta bëjmë me dy shkallë. Në shkallën e parë do të merremi vetëm me rekomandimet e OSBE-se dhe do ta kemi shënuar si të kryer një kërkesë të Bundestagut që prapë i vlen Shqipërisë, sistemit tonë zgjedhor, sepse nuk do të ketë më komision me parti politike. Duan apo nuk duan ata që kërkojnë përgjegjësi nga unë përse nuk funksionon BE-ja” tha ai.
Miratimi i Reformës Zgjedhore, ishte një nga tre kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për uljen në tryezën e diskutimit të kapitujve, në rast se Shqipëria do të merrte një vendim pozitiv nga të gjitha vendet anëtare të BE-së për negociatat në 18 tetor. Megjithatë, Rama u shpreh se pavarësisht mungesës së pasjes së një vendimi për negociatat, Shqipëria do të vijojë të përmbushë kushtet e vendosura nga Bundestagu në muajin shtator, për Shqipërinë europiane.