Gjykata e Apelit në Tiranë lë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish kryetarin e Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku. Nga arratia, Kajmaku kishte kërkuar lirimin e tij, por u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit gjatë seancës së ditës së enjte.
Më 12 nëntor Gjykata e Tiranës vendosi arrest në burg në mungesë për ish-kreun e Bashkisë Vorë, një ditë pasi më parë prokuroria lëshoi urdhër arrestin për Kajmakun, për akuzat “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve” dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës.”
Kajmaku u shkarkua nga KQZ më 1 nëntor pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit duke mos deklaruar një dënim në Greqi nën identitetin Jorgo Toto, për falsifikim parash. Ai u akuzua nga Partia Demokratike dhe më pas Prokuroria e Përgjithshme, pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.