Pjetri-Kajmaku, fati te Italia e Greqia

AKTUALITET


Me anë të dy komunikatave të ndryshme për mediat, por për të njëjtin qëllim, Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë informacion, në lidhje me ecurinë e verifikimit të figurës për Valdrin Pjetrin, ish-kryebashkiakun e dorëhequr të Shkodrës, dhe Agim Kajmakun, aktualisht në detyrë si kryetar bashkie ne Vorë. Për të dy personat nën hetim, Prokuroria njofton se ka kërkuar informacion nga disa institucione në vend, por dhe autoriteteve ligjzbatuese në vendet ku mendohet se Pjetri dhe Kajmaku, sipas PD, kanë qenë të dënuar. Në rastin e Valdrin Pjetrit, Prokuroria e Përgjithshme njofton se ka administruar informacion nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore, është marrë përgjigja nga Ministria e Drejtësisë, e cila i ka përcjell autoriteteve italiane të drejtësisë Kërkesën për Ndihmë Juridike për Valdrin Pjetrin. Gjithashtu, është administruar përgjigja e Gjendjes Civile për gjeneraitetet e Pjetrit, përgjigja e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në lidhje me kërkesën nëse Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar apo ndaluar për veprimtari kriminale. Gjithashtu, është siguruar përgjigja e 23 prokurorive po për Valdrin Pjetrin, nëse ka qenë apo jo i dënuar apo kallëzuar. Ndërkohë, në fund të njoftimit, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se është në “pritje të përgjigjes nga autoritetet italiane të drejtësisë si dhe përgjigjen e autoriteteve policore italiane, të cilat janë vendimtare për marrjen e një vendimi”, shkruan Prokuroria e Përgjithshme për rastin e Valdrin Pjetrit.

Më tej, në deklaratën e dytë, në lidhje me verifikimin e Agim Kajmakut, Prokuroria e Përgjithshme, ashtu si në rastin Pjetri, njofton se ka kërkuar informacion nga disa institucione brenda dhe jashtë vendit, ku kryesore është përgjigja e autoriteteve greke. Në lidhje me Agim Kajmakun, deri më tani, Prokuroria e Përgjithshme njofton se ka administruar të dhënat në lidhje me gjeneralitetet e Kajmakut nga Gjendja Civile, informacionin nga Policia e Shtetit, që informon nëse ky shtetas ka qenë i ndaluar apo arrestuar në Shqipëri, departamentit të kufirit, që informon në lidhje me të dhënat e sistemit TIMS për shtetasin Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto. Të dhëna janë administruar dhe 23 prokurori të rretheve, ndërsa i është kërkuar INTERPOL informacion nëse Agim Kajmaku rezulton i ndaluar dhe arrestuar për veprimtari kriminale. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme raporton se ende nuk është siguruar përgjigja në lidhje gjurmët daktiloskopike të Agim Kajmakut, duke arsyetuar se  “Sipas verifikimeve në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se shërbimi postar (Drejtoria e Përgjithshme e Postave) ka ngatërruar adresën e subjektit Agim Kajmaku dhe ende nuk e ka dorëzuar shkresën”.


Megjithatë, më poshtë, Prokuroria e Përgjithshme sqaron se janë përcjellë gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve) për krahasim INTERPOL pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, me anë të një shkrese zyrtare, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, i është kërkuar autoriteve greke informacion i detajuar dhe administrimi i çdo vendimi të prokurorisë së Janinës për masë sigurie apo dënim në ngarkim të Agim Kajmakut. Sipas prokurorisë, ky rast është parë me përparësi dhe të gjitha procedurat janë kryere në një kohë prej 7-të ditësh. Ndërkohë që sqaron në fund, se mbeet ende në pritje të përgjigjes së autoriteve greke, që sipas organit të akuzës ‘do të jenë vendimtare’ për marrjen e vendimit për Agim Kajmakun. /Realstory.al/




Skip to toolbar