Të martën më 18 qershor, Këshilli i Europës do të votojë për hapjen ose jo të negociatave për integrim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndonëse do të duhet të pritet java e ardhshme për të mësuar vendimin e KE, gjasat janë që s`do të ketë dritë jeshile për vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut. Është transmetuesi ndërkombëtar “Reuters” që i ka kushtuar një artikull hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku për këtë të fundit shprehet se ka më shumë gjasa për të marrë një dritë jeshile këtë vit, por jo tani në qershor. “Maqedonia në rrugën e duhur për bisedimet e pranimit në BE, por jo Shqipëria”, është titulli i artikullit të Reuters.
“Maqedonia e Veriut ka gjasa të fitojë mbështetjen e Bashkimit Evropian për të filluar bisedimet e anëtarësimit këtë vit, thonë diplomatët, por fqinji i saj ballkanik Shqipëria përballet me kundërshtimin e Francës, Gjermanisë dhe Hollandës”, thuhet në shkrim. “Pavarësisht nga retorika e BE-së se blloku duhet të pranojë anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të çimentuar rrugën e tyre evropiane dhe për të kompensuar ndikimin kinez dhe rus, ndjenja anti-imigracioni ka ngritur dyshime në disa shtete të BE-së veriore”, vijohet më tej.
Më tej, në shkrim jepet e sigurt se as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk do të kenë dritë jeshile më 18 qershor, pavarësisht se këto vende kanë pasur mbështetjen e 13 shteteve anëtare të BE, duke përfshirë Italinë dhe Poloninë, Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe Komisionit Europian, që kanë bërë publike thirrje për fillimin e negociatave zyrtare.
Reuters, shkruan se tani, mund të arrihet një marrëveshje midis vendeve të BE në shtator, por vetëm për Maqedoninë e Veriut, e cila gjithashtu është e vendosur të anëtarësohet edhe në NATO. “Maqedonia e Veriut ka një shans të mirë (për bisedimet e anëtarësimit në BE), duke pasur parasysh zgjidhjen historike të çështjes së emrit të saj”, tha një zyrtar i lartë i BE duke iu referuar një mosmarrëveshjeje të vjetër me Greqinë, që bllokoi rrugën e saj drejt BE dhe aleancës së NATO-s .
“Por Shqipëria është ende një çështje e madhe për disa qeveri. Nuk është aspak premtuese”, tha zyrtari. “Perceptuar si një nga vendet më të korruptuara të Europës, sipas Transparency International, Shqipëria – e cila tashmë është anëtare e NATO-s, ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër pastrimit të parave, thonë zyrtarët e BE dhe SHBA, pavarësisht shkarkimit të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar”, shkruan ndër të tjera Reuters.
Lexot të plotë shkrimin e Reuters