Revoltohen gratë e PS, kërkojnë poste drejtuese: Nuk jemi shtojca…

AKTUALITET


Gratë deputete dhe ministre të Partisë Socialiste kanë kërkuar mbledhjen urgjent të Kryesisë së PS-së për të diskutuar për ndryshimin e drejtimit të organizatave socialiste dhe degëve në rrethe. Ndërsa vlerësojnë faktin se në qeveri ka një numër të madh ministres femra, sërish gratë e PS-së janë të pakënaqura nga niveli i përfaqësimit të tyre në organizatat e partisë, duke thënë se vetëm 12% e grave kanë poste drejtuese dhe kjo duhet të ndryshojë.

“Organizata jonë socialiste, qeliza e organizimit tonë partiak, në tërësinë e saj, nuk e reflekton përgjithësisht këtë ndryshim historik. Madje përkundrazi, ajo mbetet një hapësirë dominante e burrave, ndërkohë që vetë rezultatet elektorale dhe pjesëmarrja e grave në votime kanë ndryshuar pozitivisht.


Konkretisht nga analiza e fundit e viti 2018 rezulton se:  Nga 4954 Organizata Socialiste në total, vetëm  574 drejtohen nga gra (12 %). Në Tiranë, situata është pak më mirë por gjithsesi burrat drejtojnë në mbi 80% të organizatave – nga 663 organizata,127 ose 19 % drejtohen nga gra.

Nga analizat rezulton se po ashtu organizata në një masë të konsiderueshme përfaqësimi familjar dhe fiktiviteti, përdoren si instrumenta pengese për të rinjtë dhe sidomos për gratë.

Sondazhet dhe statistikat e terrenit gjatë ditëve të votimeve, tregojnë që Partia Socialiste është partia më e mbështetur me votë nga gratë dhe me diferencë nga të tjerët. Por as kjo pjesëmarrje dhe as kjo mbështetje me potencial ende të madh rritjeje, nuk reflektohet në organizatën socialiste ku vetëm 26.2 % janë shoqe. Kjo dëshmon se ndër të tjera, struktura e organizatës bazë ashtu siç është, nuk e ndihmon sa duhet synimin tonë si forcë politike për t’i afruar masivisht gratë e vajzat në bazën e partisë”, theksojnë në kërkesën e tyre gratë e PS-së.

Propozimi i tyre është që organizatat socialiste të kenë dy drejtues, një burrë dhe një grua.

“Të bindura se gratë në organizatën socialiste nuk mund të vazhdojnë të mbeten si një shtojcë, por duhet të kthehen në një shtyllë e rëndësishme, njësoj si në qeveri e në grupin parlamentar, propozojmë që secila prej 5000 organizatave socialiste në territor të bashkëdrejtohet nga një burrë dhe një grua. Pa pretenduar se kemi zbuluar ndonjë formulë të re apo gjetur zgjidhjen automatike për ekuilibrin e një dizekuilibri historik gjinor në organizatën bazë të familjes sonë politike, ne besojmë se duke iu referuar këtij modeli të adoptuar nga disa parti progresiste nëpër botë, do të promovojmë një ndryshim thelbësor me avantazhe të mëdha për të ardhmen e PS e të vetë vendit tonë.

Në mbyllje, kërkojmë diskutimin e menjëhershëm në kryesi për të miratuar këtë ndryshim radikal organizativ me dy të zgjedhur, një burrë një grua, në drejtimin e organizatës bazë të Partisë Socialiste”, përfundon kërkesa e grave të PS-së.




Skip to toolbar