Kryeministri Edi Rama ka prezantuar programin e ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i cili parashikon një fond prej 1.5 miliardë eurosh për vijimin e transformimit të qyteteve dhe hapësirave publike në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se programi i ri nuk përfaqëson vetëm vazhdimin e nismës së parë të Rilindjes Urbane, por një fazë të re zhvillimi që vjen si përgjigje ndaj rritjes së pritshmërive të qytetarëve.
Sipas kryeministrit, përmirësimi i kushteve të jetesës ka bërë që mangësitë të jenë më të dukshme dhe më pak të pranueshme. Ai u shpreh se kjo nuk lidhet me mosmirënjohjen e qytetarëve, por me kërkesën për standarde më të larta.
“Një program kombëtar ambicioz, për të kaluar te “Rilindja Urbane 2.0″ duke vendosur në dispozicion të këtij kapërcimi një objektiv prej 1.5 miliardë eurosh. Ajo që mendova se është e rëndësishme ta ndaj me ju sot lidhet me jo thjesht dallimin mes këtij programi të ri dhe programit të parë të rilindjes urbane, por me arsyet, që na çojnë në këtë program. Sa më shumë përmirësohen kushte, aq më shumë bie në sy sie papranueshëm ajo që mungon”, tha ai.
Më tej, Rama u shpreh se “Rilindja Urbane 2.0” do të jetë një nga instrumentet kryesore për të përballuar këtë fazë të re zhvillimi, duke shtuar se programi i parë e ka përmbushur funksionin e tij dhe se tashmë synimi është kalimi në një nivel tjetër të transformimit urban në të gjithë vendin.
Ai theksoi se shoqëria shqiptare nuk është më e varfër pasi ky kapitull është mbyllur, falë reformave të ndërmarra.
“Kjo nuk është mosmirënjohje, por është pritshmëri për standarde të tjera. Shoqëritë e varfra, kemi qenë shoqëri e varfër, ne nuk jemi më një shoqëri e varfër, nuk thashë që ne nuk kemi varfëri, por nuk jemi më shoqëri e varfër dhe shoqëritë e varfra janë shumë më tolerante ndaj mungesave, sepse në këto shoqëri dominion mendësia që ka edhe më keq, ndërkohë që shoqëritë e zhvilluara apo shoqëritë kur hyjnë në një fazë zhvillimi ku gjërat që deri dje dukeshin që nuk ishin pjesë e mundshme e jetës dhe kure e bën realitet, janë gjithmonë e më shumë intolernate ndaj mungesave, që do të thotë se suksesi, rezultati, ndryshimi nuk ul pritshmëritë, por i rrit pritshmëritë. Programi është një nga instrumentet, që e adreson këtë fazë të re duke u nisur nga prezumimi që rilindja urbane që ne njohim e ka kryer funksionin e saj, tani duhet kaluar përtej”, tha Rama.
