Franca I shpërbleu parashikimet, ndërsa sot është radha e Spanjës, favoritja tjetër e madhe e “Botërorit 2026”, që do të zbresë në fushë për sfidën e saj çerekfinale. Duke nisur nga ora 21:00 të gjithë prozhektorët drejtohen në Ingleëood të Kalifornisë, ku “La Roja” do të përballet me Belgjikën.
Pa shkëlqimin e dikurshëm, me një lojë më të ngadaltë dhe më pak vertikale, që shpesh herë është kritikuar, por gjithsesi fituese dhe pretendente. E thonë këtë statistikat, me skuadrën e De La Fuente që ka një strishë rekord prej 35 ndeshjeve pa humbje, ndërsa në këtë Kupë Bote mund të krenohet se ka mbajtur portën e paprekur.
Pastaj fitorja 1-0 kundër Portugalisë në 1/8 e turneut ishte një tjetër zyrtarizim i forcës së spanjollëve. Edhe kundër Belgjikës, Kampionët e Europës kanë me vete parashikimet, ndërsa trajneri De La Fuente pret një Lamin Yamal në formën e tij më të mirë.
“Belgjika është një skuadër shumë e mire, me lojtarë të mësuar të fitojnë tituj. Kjo do të jetë ndeshja jonë më e vështirë deri më tani. Në aspektin ofensiv, Lamin është ende duke ardhur. Ai nuk e ka arritur ende atë nivel të jashtëzakonshëm me të cilin jemi mësuar. Kundër Portugalisë, iu desh të bënte shumë punë në mbrojtje përballë një kundërshtari shumë të fuqishëm si Nuno Mendesh”, tha ai.
Pikërisht Lamine Yamal do të udhëheqë Spanjën, në atë që pritet të jetë formacioni pa ndryshime nga ai i sfidës së fundit me Portugalinë. Bashkë me talentin, në sulm do të luajnë Alex Baena dhe Oyarzabal, me Dani Olmo në rolin e numrit 10 pas tyre.
Nuk pritet të ketë risi as në repartet e tjerë, ndërsa “La Roja” mund të mbështetet plotësisht edhe te Nico Ëilliams, I rikuperuar nga problemet fizike.
