VV: Humbësit duan shpëtim

KOSOVA


Lëvizja Vetëvendosja e ka cilësuar si një kërkesë shpëtimi për partitë që nuk morën mbështetjen e duhur nga qytetarët, kërkesën e PDK, NISMA dhe LDK për rinumërimin e votave. Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk ka asnjë për t’u shqetësuar me këtë kërkesë, pasi në qendrat e numërimit kanë personat përgjegjës që do të ruajnë vullnetin e qytetarëve.

 “Që nga mëngjesi, kam pasur shumë mesazhe dhe telefonata nga qytetarë, miq e familjarë. Janë të shqetësuar lidhur me ndonjë tendencë për manipulim votash pas kërkesës për rinumërim. Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni. Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumërimi. Qytetarët kanë folur me 6 tetor. Vullneti i tyre do të jetësohet” thotë Vetëvendosja.

NISMA një nga partitë që ka kërkuar rinumërim të votave, në fakt nuk po arrin të kalojë pragun e 5 % që është i nevojshëm për hyrjen në Kuvend, ndërsa PDK mori një rezultat prej 24,82%, jo shumë të kënaqshëm për të.

Ndërsa LDK kërkon me rinumërim të votave për një përmbysje rezultati, pasi diferenca mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit është tepër e ngushtë.

Albin Kurti pavarësisht se doli fitues i zgjedhjeve i duhet një koalicion për të krijuar qeverinë. Ai deklaroi se do të ftojë LDK në koalicion qeverisës, ndërsa Isa Mustafa po pret të numërohet edhe vota e fundit për të vendosur në lidhje me të.



Skip to toolbar