Vrasja e Mirditës, rrëfehet gruaja: U vra për gjakmarrje

AKTUALITET


Eri Zefi 34 vjeç u vra me 6 plumba një javë më parë në Fan të Mirditës, ndërsa deri më sot ende asnjë person nuk është vënë në pranga nga policia për vrasjen e tij. Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes. Madje dhe familjarët e tij thonë se Eri Zefi u vra për shkak të gjakmarrjes, pasi vëllai i tij Ndue Zefi kishte vrarë më herët Martin Ndrecën në sy të fëmijës 10-vjeç.

Në një intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com, gruaja e Eri Zefit rrëfen të gjithë historinë e gjakmarrjes mes dy familjeve pas vrasjes së Martin Ndrecës. Nazli Zefi 25-vjeçe e cila nuk është shqiptare, por që ishte martuar me Eri Zefin dhe 4 muaj më parë solli në jetë djalin, thotë se burri i saj e kishte shok të ngushtë Martin Ndrecën. 25-vjeçarja tregon se burri i trembej hakmarrjes pas vrasjes që kishte bërë i vëllai.


“Mua më kanë vrarë burrin dhe babanë e fëmijës 4 muajsh. Unë vetë jam e huaj, por dua drejtësi për burrin tim. Ai ka humbur jetën pa faj. Gjithnjë ka qëndruar me frikë dhe më fund e kanë vrarë. Fëmija im po rritet pa baba, ndërsa unë ende nuk e di kush e ka vrarë burrin tim. Unë dua të di se çfarë ka ndodhur me burrin tim. Policia gjysmën e fakteve e ka lënë të humbin në vendin e ngjarjes, ka lënë ekspertizën në gjysëm. Nuk mundem të kuptoj që gjakmarrja bëhet mbi njerëz të pafajshëm.

Kam humb burrin, jam pa letra edhe kam frikë që djali im nuk rritet ashtu si ka pas dëshirë burri im. Duhet të ndalohet gjakmarrja mbi njerëzit e pafajshëm.  Unë kam shkuar te vendi ku i ka dalë shpirti dhe kam vendosur lule, por nuk prisja të gjeja plumbat që kanë kaluar në trupin e tij. Nuk mund të jem rehat, se unë e di që 1000% burri im ka lënë jetën pa faj. Ai ka pasur frikë për gjakmarrje, çdo natë ishte në mendime dhe me lot në sy e zinte gjumi”, ka rrëfuar gruaja e Erit Zefit, tashmë e mbetur e ve. Ajo rrëfën më tej edhe vrasjen që ka bërë kunati i saj, e cila është bërë shkak për gjakmarrje.

“Kunati im Ndue Zefi ka vrarë Martin Ndrecën para njerëzve edhe është dorëzuar duke pranuar vrasjen. Kur ka ndodhur konflikti me Ndue Zefin dhe Martin Ndrecën atë natë ky i fundit mori në telefon burrin tim sepse kanë qenë shokë. Por ne ishim në gjumë dhe askush nuk e dëgjoi telefonin. Kur u ngritëm në mëngjes pamë që kishte shumë thirrje të humbura. Më pas burri mori vesh se i vëllai kishte vrarë atë natën Martinin. I iku truri dhe nuk po besonte si është bo kjo punë mes shokëve. Burri, çdo natë më thoshte ‘është gjynah që Ndue Zefi (i vëllai) është në burg dhe nuk mundet me pa fëmijët e ve, por ma gjynah se Martini nuk ka.

Martini nuk mundet kurrë më me marrë fëmijët e vet në krah, nuk ka më keq’. Edhe sa herë ai thoshte ‘o Zot unë kam djalin aq kaq të vogël dhe nuk mundem të mendoj mos me qenë këtu për atë’. Dhimbjen që ka pasur familja e Martinit atëherë, e kemi ne tani. Nuk e kuptoj pse e kanë vrarë burrin tim, ai nuk ka pasur kurrë konflikte me shokët, as me njerëzit e tjerë. Ai ka ndihmuar cilin ka mundur. Unë kam qenë në polici dhe u kam thënë se mendoj se janë të korruptuar”, është shprehur Nazli Zefi.

Më herët ekspertiza mjeko ligjore zbuloi se Eri Zefi u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e kanë kapur në kokë ndërsa 2 të tjerët në gjoks. Ai u gjet i vdekur të mërkurën më 2 tetor në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së Kombit.




Skip to toolbar