Ristani, Bashës: Forco marrëdhëniet me ndërkombëtarët

POLITIKË


Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani tha se PD duhet të forcojë pozitat e saj dhe të bëhet e besueshme për popullin dhe ndërkombëtarët nëse kërkon që të shkojë në pushtet. Për Ristanin kjo nuk bëhet as jashtë institucioneve dhe as pa vlerësuar emrat që kanë dhënë kontributet e tyre në parti. Ristani këshilloi Bashën që të forcojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët, të cilat u ftohën pas aksionit të opozitës për djegien e mandateve dhe organizmin e protestave të dhunshme. Me mbështetjen e ndërkombëtarëve, programin dhe njerëzit e duhur Ristani mendon se PD të fitojë besueshmërinë e qytetarëve dhe të marrë pushtetin.

“Duhet ta kemi mendimin të konsoliduar se qeveria është duke e çuar vendin keq dhe më keq, qoftë sa i takon situatës ekonomike, politike apo dhe sociale.  Dhe alternativë e vetme që kanë shqiptarët është një opozitë e besueshme, vetëm duke qenë e tillë opozita mund të ngjallë shpresën. Kur vjen tek besueshmëria ka disa elementë që duhen rregulluar për ta bërë të besueshme.


PD duhet të jetë e tillë, pra duhet të jetë demokratike, me një sistem parimesh, të djathta konservatore.

Të vlerësohet karriera dhe kontributet. Duhet një program i besueshëm në të gjitha fushat e saj dhe ky program duhet të jetë i zbatueshëm dhe duke vënë emrat që nesër do jenë në krye.

Pra, duhet të kemi një emër që do zëvendësojë p.sh Ruçin. Përballë çdo emri ne duhet të kemi alternativën tonë. Programi i duhur, njerëzit e duhur dhe aksion, janë tre elementët që duhet të ketë opozita sot. Po ashtu PD duhet të gjejë mënyrën për tu kthyer në rrugë institucionale.

Duhet të rikonsolidojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtare, me SHBA dhe BE. Një nga pikat kryesore që PD duhet ta rikthejë në fokus, është se duhet të ketë mbështetjen e tyre për të ecur drejt pushtetit. Duhen objektiva të qartë dhe realizimi i tyre një pas një çon në rritjen e besimit tek PD.

Pra, duhet programi i duhur dhe njerëzit e duhur.”-tha Arben Ristani për A2 CNN.




Skip to toolbar