“Russiagate”, Gjykata pushon hetimet ndaj Lulzim Bashës: S`ka prova

#NËRADAR


Gjykata e Tiranës pushoi çështjen në ngarkim të kreut të PD, Lulzim Basha, për hetimet e nisura ndaj tij në lidhje me lobimin rus në SHBA. Së bashku me Lulzim Bashën, gjykata vendosi të pushojë hetimet edhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë të Partisë Demokratike, ish-Sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani dhe financierit Ilir Dervishi.

Gjykata vendosi të pushojë çështjen ndaj tre zyrtarëve të Partisë Demokratike, pasi pretendoi se nuk ekzistojnë prova. Lulzim Basha u dërgua i pandehur në gjykatë nga Prokuroria me akuzën e “Falsifikimit të formularëve”, lidhur me kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkura të Amerikës për shumën 675 mijë dollarë. Por, ndonëse Prokuroria i nisi hetimet për akuzën e “pastrimit të parave” ndaj kreut të PD dhe dy zyrtarëve të tjerë, kjo akuzë u pezullua në përfundim të hetimeve.


Tashmë pritet veprimi që do të kryejë Prokuroria, e cila ka të drejtën të ankimojë vendimin e Gjykatës. Ndërkohë, seanca e të hënës u drejtua nga gjyqtari Lazër Sallaku. Lulzim Basha nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore, ndërsa përfaqësohej nga avokatët Eduart Halimi dhe Ivi Kaso. Dosja hetimore për paratë ruse, që dyshohej se u përdorën nga Partia Demokratike për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë e shumë diskutuar.

Në përfundim të hetimeve, përpara se dosja të dërgohej në Gjykatë, tre prokurorët ishin të ndarë. Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako ishin prokurorët që firmosën që dosja të dërgohej në gjykatë për akuzën e “falisifikimit të dokumentave”, ndërsa pushuan akuzën për “pastrim të parave”. Ndërkohë, nuk ishte i të njëjtit mendim prokurori Kolë Hysenaj, i cili refuzoi të firmosë dërgimin e dosjes për gjykim. Prokurori Hysenaj kërkoi që hetimet të vijonin.

Eduart Halimi, avokati i Lulzim Bashës në seancën gjyqësore të ditës së hënë, e quajti vendimin e gjykatës “vendim drejtësie”. Ai tha për mediat se pas dy vitesh hetime, “u provua se akuzat e prokurorisë ishin tërësisht të sajuara”. “Vendimi i sotëm i gjykatës ishte një vendim drejtësie. U provua pas më shumë se 2 vite hetime nga ana e prokurorisë, se gjithçka ishte një akuzë tërësisht e sajuar, bazuar vetëm mbi spekulime, dhe u vërtetua katërciprisht se nga 2 vjet hetime nuk kishte asnjë lidhje Partia Demokratike dhe nuk kishte asnjë vepër penale.

Nuk ishte shkelur asnjë ligj nga Partia Demokratike dhe as nga zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në vend tjetër. U vërtetua katërciprisht se vepra penale nuk ekzistonte, fakti nuk ekziston, dhe vendimi i sotëm është një vendim për tu përshendetur. Pra, ishte një vendim drejtësie. Ky ishte një vendim që rrëzoi tërësisht gjithë akuzën, gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në territorin e prokurorisë dhe që u rrëzuan përfundimisht të gjitha akuzat ndaj Partisë Demokratike”, tha Halimi.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të kësaj partie, pas një shkrimi të revistës amerikane, Mother Jones. Ajo hidhte dyshime të forta se kompani të lidhura me shtetas rusë kishin financuar për lobimin e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Paratë ishin përfituar nga kompania lobuese e shtetasit amerikan Nik Muzin, i cili kishte marrë tri pagesa në një shumë totale prej 675 mijë dollarësh për të lobuar në favor të Partisë Demokratike.

Një nga pagesat ishte bërë nga kompania “Biniata Trade” e regjistruar në Skoci, e krijuar si partneritet i dy kompanive të tjera. Këto kompani ishin regjistruar në Mbretërinë e Bashkuara, ndërsa aksionet e tyre zotëroheshin nga shtetas rusë. Prokuroria Deklaronte se Lulzim Basha dhe zyrtarët e partisë që ai drejton, nuk i kishin deklaruar këto pagesa. Për këtë aryse u ngrit akuza e “pastrimit të parave”, ndërsa dëshmitari kryesor ishte pikërisht Nik Muzin. Por, prokuroria pushoi akuzën e “pastrimit të parave”, pasi nuk u provua, ndërsa dëshmia e Muzin nuk arriti të merrej.

Megjithatë, Nik Muzin deklaroi se mund të dëshmonte për organet e drejtësisë shqiptare, vetëm nëse atij do t`i sigurohej se nuk do të hetohej në Shqipëri për këtë çështje. Megjithatë, dy prokurorët, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako, në kundërshti të Kolë Hysenajt, vendosën të dërgonin dosjen për gjykim, duke e rrëzuar akuzën për “pastrimin e parave”, ndërsa Basha u mor i pandehur vetëm për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”. Të hënën më 13 janar, u vendos përfundimisht edhe pushimi i çështjes për akuzën e prokurorisë, duke i shpallur të pafajshëm Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin. /Realstory.al/




Skip to toolbar