Roma prezanton Zappacostan, dhe kërkon ndihmë për gjetjen e Bleona Matës

AKTUALITET


Mbrojtësi i djathtë i Chelsea, Davide Zappacosta i është bashkuar Romës në formë huazimi për gjysmë sezoni. Si pjesë e marrëveshjes ekziston mundësia për të zgjatur huazimin deri në fund të sezonit. Zappacosta është prezantuar këtë të mërkurë te Roma, pasi ka kryer testet mjekësore. Ndërkohë, klubi kryeqytetas ka bërë prezantimin e mbrojtësit të ri, duke publikuar një video në internet.

E veçanta dhe e pazakonta e kësaj video, e prezantimit të një lojtari, ishte se video shfaqej në dy plane. Në krahun e majtë shfaqej Zappacosta, ndërsa në krahun e djathtë të saj shfaqeshin fytyrat e fëmijëve të humbur gjatë dhjetë viteve të fundit në vende të ndryshme të botës. Mes emrave dhe fytyrës së publikuar në video, ishte dhe vogëlushja shqiptare Bleona Mata, e cila u zhduk në vitin 2010, dhe prej asaj kohe nuk është gjetur.


Në video jepet emri dhe fotoja e Bleona Matës, si dhe një numër kontakti, që në rast se ndonjë person ka dijeni për të, mund të njoftojë. Video e prezantimit të Davide Zappacosta është realizuar në bashkëpunim me qendrën kombëtare të fëmijëve të zhdukur në Itali, si një mjet që nëpërmjet sportit të ofrohet ndihmë dhe për rastet fatale, ku fëmijë kanë humbur apo janë rrëmbyer dhe nuk janë gjetur më.




Skip to toolbar