Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Isuf Shehu, kreun e Gjykatës së Kukësit. Shehu është shkarkuar nga detyra pasi ka rezultuar me probleme në deklarimin e pasurisë. Sipas KPK-së ai nuk ka deklaruar një ndërtesë 3 katëshe që ka në qytetin e Kukësit.
Nga hetimi i komisionit ka rezultuar se Shehu s’ka patur mundësi financiare për ndërtimin e banesës dhe kishte një diferencë ekonomike në vlerën e 5.2 milionë lekësh.
Kryegjyqtari i Kukësit kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë. KPK konstatoi mospërputhje mes vlerës së deklaruar prej 2.2 milionë lekësh dhe vlerës prej 3.7 milionë lekësh të pasqyruar nga një akt ekspertimi i dorëzuar nga vetë subjekti. Analiza financiare për ndërtimin e vilës e nxori gjyqtarin Shehu në pamundësi financiare prej 5.2 milionë lekësh. Përveç problemeve me ndërtimin e vilës, Komisioni gjeti pamundësi financiare për blerjen e një automjeti në vitin 2003 si dhe një automjeti të dytë në vitin 2011.
Kryegjyqtari i Kukësit gjithashtu në muajin mars të këtij viti është përfshirë në një incident të dhunshëm ku është filmuar duke dhunuar një avokate.
Bëhet fjalë për një video të filmuar nga kamerat e sigurisë, ku shihet kryegjyqtari Isuf Shehu duke rrahur avokaten Aurora Guska.
Pamjet që janë transmetuar në TV në atë kohë shfaqet Shehu së bashku me avokaten që afroheshin tek hyrja e gjykatës. Ata ndalojnë para hyrjes dhe Kryetari i Gjykatës e godet avokaten në fytyrë duke e hedhur tutje.