Rrëfimi i zjarrfikësit italian: Njerëzit na falënderonin e dridheshin nga frika

AKTUALITET


“Kur njerëzit na shihnin në rrugë, na ndalonin, na falënderonin dhe na ofronin ushqim, ëmbëlsira, donin të na bënin dhurata”. Këto janë përshtypjet e para për shqiptaret, dhënë nga një prej zjarrfikësve italianë, që mbërriti në Durrës, në kulmin e dhimbjes, e teksa nën rrënoja kishte trupa që prisnin të nxirreshin, e toka vazhdonte të dridhej nga tërmeti.

Quhet Massimo Marconcini, 51 vjeç, nga Livorno. Ka qenë ish atlet olimpik në Lojërat Olimpike në Barcelonë e së fundi një nga 175 zjarrfikësit që erdhën në Durrës me ekipet e shpëtimit, raporton media italiane. Ai tregon se skenat që pa para syve nuk i kishte të panjohura. Ishte njësoj si në tragjeditë që ka kaluar e madje gjunjëzuar edhe Italinë me tërmetet në Amatrice, Umbria, Marche, Ischia dhe Rigopiano.

Ai thotë se ishte në Durrës, toka u drodh nga lëkundja 5.2, pasgoditja e radhës.

“Isha poshtë një ndërtese. Pata frikë, por falë zotit nuk zgjati shumë”, tregon ai, duke pohuar se vendi është i ri, por me ndërtime të paorganizuara mirë. “Me tërmetin nuk mësohesh dot”, thotë ai, ndërsa shton se “ankthi nuk hiqet si gërmadhat dhe as shkundet si pluhuri”.

Për gazetën italiane “Il Fatto quotidiano” ai thotë gjithashtu se “Pavarësisht eksperiencës ka pasur momente që dhe vetë zjarrfikësit italianë janë frikësuar. Me tërmetin nuk mësohesh dot dhe asgjë nuk përfundon me mbarimin e lëkundjes. As ankthi nuk hiqet si gërmadhat dhe as shkundet si pluhuri”.



Skip to toolbar