Kryeministri kanadez, Justin Trudeau i kërkoi Teheranit të dërgojë kutitë e zeza të avionit të linjës ukrainase, goditur gabimisht më 8 janar nga Teherani, drejt një laboratori në Francë për analizë.
“Vetëm disa vende si Franca kanë laboratorë të aftë për ta bërë këtë”, deklaroi Trudeau në një konferencë shtypi, “Ky do të ishte vendi i duhur për të dërguar këto kuti të zeza dhe për të marrë informacionin e duhur sa më shpejt dhe për këtë inkurajojmë autoritetet iraniane të pranojnë ta bëjnë.”
Nga 176 persona në bord, që të gjithë kanë humbur jetën në këtë tragjedi, 63 ishin qytetarë kanadezë.
“Kutitë e zeza janë dëmtuar rëndë dhe është shumë e rëndësishme që ato të ekzaminohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi Trudeau.
Ai bëri me dije se familjet e 63 viktimave do të marrin nga 25 mijë paund, ndërsa shtoi se priste që këtë ta bënte Irani.
‘’Ndihma për shërbimet funerale dhe transportimin e trupave do të merret në ditët në vijim. Dua të jem i qartë, prisnim që Irani t’i kompensonte këto familje. Por i kam takuar familjarët. Nuk mund të presin me javë. Duan ndihmë dhe mbështetje tani. Nuk kemi parë ende se çfarë kompensimi të plotë do të bëjë Irani, por unë dua t’ju siguroj se çdo para që vjen nga Irani për familjet e viktimave do të shkonte direkt tek ata, dhe jo për të rimbursuar qeverinë kanadeze’’- tha Trudeau.