Nga Eduard Zaloshnja
Në mbyllje të protestës së 7-të kombëtare të opozitës, Basha deklaroi se e 8-ta do të jetë ndryshe. Deri tani, sipas tij, protestat i kanë udhëhequr partitë opozitare, ndërsa të 8-ën (në 8 qershor) do ta udhëheqë vetë SOVRANI…
Një këngë të ngjashme e dëgjuam edhe para 21 janarit 2011 nga Rama e njerzit rrotull tij. Por pavarsisht çfarë ndodhi, e megjithëse gardistët vranë 4 protestues me duar në xhepa, e megjithëse FBI-ja konkludoi se faji fillonte nga serveri pranë zyrës së kryeministrit e përfundonte tek gardistët që qëlluan në mish, rrotacioni nuk ndodhi në janarin e 2011-ës. Thjesht ndodhi në zgjedhjet e rradhës – në 2013-ën – kur Berisha mori 1 milionë shuplaka…
Në fakt, kanceleritë perëndimore (për aq pak kohë sa shpenzojnë me ndjekjen e ngajrjeve në Shqipëri), duket se kanë arritur në një qendrim unanim në lidhje me rrotacionin e pushtetit në Shqipëri – duhet të ndodhë në mënyrë paqësore! Përvoja e 1997-ës, kur u detyruan të dërgonin 6 mijë trupa për të stabilizuar një vend që është fare i parëndësishëm në lojën e madhe të shahut gjeostrategjik, i ka bërë alergjike kanceleritë perëndimore ndaj ndryshimeve të dhunshme të pushtetit në Shqipëri.
Në 14 shtator 1998, opozita e Berishës e mori praktikisht pushtetin. Kryeministri Nano ia kishte mbathur në Maqedoni i veshur tebdil; kryeministrinë, ministritë, Kuvendin, RTSH-në dhe tanket e gardes i shtinë në dorë kryengritësit e opozitës. Por ata nuk kishin fituar zemrën dhe mendjen e kancelerive perëndimore. Të cilat urdhëruan dorëzimin mbrapsht të tankeve e të të gjithë institucioneve të pushtuara nga opozita.
Në protestën “Nano ik!” të 2004-ës u provua përsëri një sulm agresiv ndaj kryeministrisë, por përsëri kanceleritë perëndimore e ngritën zërin. Si rrjedhojë, protestat e tjera u bënë paqësore – deri sa rrotacioni erdhi me zgjedhje në 2005-ën…
Historia e zhvillimeve politike shqiptare nga 1997 e deri më sot na mëson se kanceleritë perëndimore nuk duan të lejojnë më rrotacion të pushtetit me dhunë. Kështu që shpresa e vetme e Bashës (apo dikujt tjetër që mund të caktojë Berisha) për t’u bërë kryeministër duhet të kacavirret tek fakti se PS-ja dhe partitë e vogla satelite të saj nuk kanë marrë në dekadën e fundit më shumë se 48.5% të votave në zgjedhjet parlamentare (46.5% në 2009-ën, 47.5% në 2013-ën, 48.5% në 2017ën).
Me pak fjalë, rrotacioni i rradhës (kurdo që të ndodhë) do të jetë thjesht rezultat i një shahu elektoral, e jo i një ndeshje ndeshje boksi. Njësoj si në 2005-ën apo 2013-ën…