Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, i pranishëm mëngjesin e së hënës në konferencën me temë “NATO përballë rreziqeve të teknologjisë”, tha se qëndrimet konfuze të Bashkimit Europian po dëmtojnë NATO-n, ndërsa theksoi se burokracia e BE-së vendosi që Shqipërisë të mos i hapen negociatat për anëtarësim.
Kreu i parlamentit theksoi se perspektiva e Aleancës së Atlantikut për sigurinë është më avancuar se ajo e Bashkimit Europian.
“Perspektiva e NATO-s për sigurinë sigurisht është shumë e qartë dhe më e avancuar ase ajo e BE. Kjo provohet nga fakti se mjaft vende të rajonit sot janë anëtare të NATO-s por nuk kanë ende një perspektivë të qartë për BE. Serbia dhe Mali i Zi kanë çelur negociatat por janë në vend numëro. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u refuzuan nga ky proces në mbledhjen e KE në 17 tetor. Dikur BE, kërkonte peticionet për të justifikuar dilemat e saj, sot burokratët duken më të kthjellët se vetë lidershipi i BE. Ndërsa Kosova dhe Bosnje Hercegovina kanë një perspektivë ende më të paqarta akoma. Kjo pozitë asimetrike mes integrimit në NATO dhe integrimit të BE dëmton jo vetëm vendet e rajoni në vetvete por gjithë sigurinë e Bashkimit Europian. Sigurisht që NATO ka problemet e saj dhe mund të mos jetë absolutisht perfekte, por vizioni dhe investimet e saj për sigurinë dëmtohen nga këto qëndrime konfuze të BE.”
Më tej Gramoz Ruçi tha se jo të gjitha vendet e Ballkanit kanë vizion perendimor si Shqipëria. Sipas tij, kjo qasje e bën më të dobët këtë rajon.
“Qëndrimet e dyzuara të vendeve skeptike dhe imponimi i tyre ndaj Këshillit Europian natyrshëm terren për të dyja fuqitë jo perëndimore në Ballkanin Perëndimor, si Kina dhe Rusia. Nuk mendoj se refuzimi i KE për hapjen e negociatave do pasohet direkt nga rritja e influencës ruse dhe kineze. Por duhet të pranojmë se jo të gjitha vendet e rajonit kanë të njëjtin vizion Perëndimor si Shqipëria. Disa nga fqinjët tanë janë më pak të imunizuar nga influencat jo perëndimore kjo bën rajonin tonë më të dobët dhe më të thyeshëm ndaj tyre”, tha Ruçi.
E Ngarkuara me punë e SHBA-së në Shqipëri Leyla Moses-Ones deklaroi në konferencë se Tirana zyrtare është e palëkundur në partneritetin me Amerikën duke ua bërë të qartë disa vendeve, referuar Rusisë apo Kinës, se disa gjëra nuk janë në shitje.
“Është një infrastrukturë komplekse dhe kritike. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Ka vende kaq të palëkundura në botë në këtë partneritet dhe Shqipëria në bën shumë krenarë.
Kina përdor strategji për marrëveshjet infrastrukturore, por e kam thënë që Shqipëria e ka deklaruar se disa gjëra nuk janë për shitje. Liria nuk është për shitje, sigurisht që e vlerësoj shumë”, tha ajo.