“Rusët do ta paguajnë shtrenjtë.” Kështu është shprehur presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, pas sulmit të ndërmarrë gjatë natës në rajonin e Kharkivit, ku humbën jetën 10 persona dhe u plagosën disa të tjerë.
‘’Padyshim që Ukraina do t`i përgjigjet sulmit, këtë ta kenë të qartë. Po aq e rëndësishme është që partnerët tanë t’i shoqërojnë kundërpërgjigjet tona të drejta ushtarake me veprimet e tyre për të ushtruar presion ndaj Rusisë dhe për të mbështetur Ukrainën’’
Sipas Zelenskyt, ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe kanë shuar zjarret, ndërsa shërbimet e tjera vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe po punojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat e sulmit. Shënjestra e goditjeve duket ka qenë Peçenihy, një fshat në rajonin e Harkivit.
Sulmi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonën e goditur. Sipas informacioneve zyrtare, janë dëmtuar të paktën 10 shtëpi private, një kafene, një zyrë postare dhe një dyqan. Po ashtu, të paktën shtatë automjete janë dëmtuar.
Kharkivi, një nga qytetet më të mëdha të Ukrainës dhe i vendosur pranë kufirit me Rusinë, ka qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të plotë.
