Dy vjet nga zbulimi i projektit, media franceze Intelligence Online paralajmëron krijimin së shpejti të Shtetit të ri Bektashi. Një enklavë, si modeli i Vatikanit në Romë, e shtrirë në 11 hektarë brenda kryeqytetit të Shqipërisë.
Sipas kësaj mediaje franceze, përgatitjet për krijimin e shtetit të ri kanë hyrë në një fazë intensive dhe brenda muajve të ardhshëm pritet zyrtarizimi.
Veç funksionimit si shtet më vete, me gjithë strukturat dhe territorin sovran përreth Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ky shtet do të ketë edhe simbolet e veta, pasaportën e veçantë, monedhën e quajtur “Bek”, e cila, sipas kësaj mediaje, do të indeksohet me çmimin e arit, si dhe diplomatë në vendet më të rëndësishme të botës.
Thuhet se lideri shpirtëror i Urdhrit Bektashi, Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi, pret në seli delegacione të huaja, ndërsa po krijon edhe rrjetin e ambasadorëve jashtë Shqipërisë, duke filluar me Kreshnik Grezdën si ambasador të Përgjithshëm të Shtetit të Ri Bektashi.
Për SHBA-në po përflitet Kristofer Hyland, aktualisht biznesmen në Nju Jork, ndërsa në të shkuarën e tij ka pasur rol në politikën amerikane, si këshilltar në fushatën presidenciale të Bill Klintonit në vitin 1992 dhe zv.drejtor kombëtar politik për elektoratet etnike.
Kurse për Francë-Belgjikë, flitet për Hazis Vardar.
Artikulli përmend Hazis Vardarin si administrator të kompanisë “Data Sentinel Balkans”, ku përfshihen edhe biznesmeni Julien Gerard Roche dhe ish-xhandari francez Kristofer Kloetenes, për eksperiencën në fushën e sigurisë dhe antiterrorizmit në Shqipëri e Ballkan.
Kjo kompani ka krijuar partneritete me Cyber ICS dhe Terra OSINT për sigurinë kibernetike, analizën e operacioneve të ndikimit dhe rreziqeve, duke shoqëruar krijimin e shtetit të ri bektashi jo vetëm simbolikisht, por edhe me përfaqësim e bashkëpunim ndërkombëtar.
Ky projekt u zbulua për herë të parë, dy vite më parë, nga kryeministri Edi Rama në një intervistë për “New York Times”.
Projekti u prit me kritika, veçanërisht nga komunitetet e tjera fetare, por për kryeministrin Rama krijimi i një shteti të ri bektashi nuk është çështje pronësore, por shpirtërore, shenjë e tolerancës fetare dhe garanci se bektashinjtë, për shkak të kushteve aktuale, me anë të një mikroshteti do t’u sigurohej mbijetesa dhe pavarësia afatgjatë.
