Prokuroria njoftoi të premten se ka dërguar në gjyq kreun e PD, Lulzim Basha vetëm për një akuzë, falsifikim formularësh, duke hequr dorë nga akuza për pastrim parash. Por kjo heqje dore duket vetëm momentale, pasi prokuroria ka kërkuar në gjykatë garancinë që ka kërkuar lobisti Nicolas Muzin për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me financimin e parave ruse në SHBA për llogari të Partisë Demokratike.
Prokuroria, në kërkesën e saj për gjykim ka argumentuar se amendamenti 5 i Kushtetutës së SHBA, të drejtën e të cilit ka kërkuar të ushtrojë Muzin, për të mos u vetë inkriminuar për hetimin shqiptar, nuk ka efekt jashtë territorit amerikan. “Prandaj duhet garancia që të jepet konform ligjit penal dhe procedural, pa cenuar rendin juridik të Republikës së Shqipërisë”, citohet nga prokuroria në kërkesën e saj për gjykim.
Kjo do të thotë se vendimin e garancisë që Muzin nuk do të hetohet në Shqipëri për lobimin rus të PD në SHBA duhet ta marrë një gjykatë shqiptare, pasi kjo nuk është një e drejtë e prokurorisë. Vetëm pasi gjykata të vendosë për të dhënë një garanci të tillë, atëherë pritet që prokuroria t’i dërgojë këtë garanci autoriteteve të drejtësisë amerikane për të marrë dëshminë e lobistit Muzin./Realstory.al/