Sa vite burg rrezikon Basha për akuzat e prokurorisë

AKTUALITET


Kreu i PD-së e refuzoi sërish thirrjen e prokurorisë për t’u njohur me akuzat e saj për paratë e përdorura nga PD për lobimin në SHBA.

Lulzim Basha dhe dy funksionarë të lartë të PD-së siç është ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi akuzohen për disa vepra të rënda penale siç janë “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (pastrim parash)” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, akuza këto që rrezikojnë t’i dënojnë me mbi 5 vite burg.

Kjo është e parashikuar në nenin 287 dhe 190 të Kodit Penal:

Kodi Penal

Neni 287

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë Kriminale”

ç)kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 190/3

“Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Prokuroria shqiptare u ndihmua me informacion nga FBI-ja për këtë çështje. I gjithë hetimi ka nisur pasi u publikua investigimi i revistës amerikane “Mother Jones” vitin e shkuar, mbi lobimin prej 675.000 dollarësh nga Partia Demokratike, përmes kompanisë “Stonington Strategies” të lobistit Nick Muzin, ku ngriheshin dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me qendër në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. Menjëherë pas këtij publikimi nisën tri hetime paralele: në SHBA, Skoci dhe Shqipëri, të cilat janë ende aktive. Prokuroria shqiptare nëpërmjet letër-porosive kërkoi ndihmë nga SHBA dhe Skocia nga ku përfitoi shumë informacione të vlefshme.

Ditën e hënë më datë 17 qershor, Lulzim Basha duhej të paraqitej në prokurorinë e Tiranës, por ai e refuzoi sërish thirrjen e prokurorisë duke e cilësuar atë në shkelje të ligjit.



Skip to toolbar