AKU bllokon dy biznese me pije alkoolike dhe ushqime pa vula

AKTUALITET


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë masa të rënda ndaj dy bizneseve, njëri në Shkodër kryesisht me pije alkoolike, dhe një market në Tiranë, pa licencë, pa sistem gjurmueshmërie, shumica e ushqimeve pa etiketa, ose me etiketa që keqinformonin për aspekte të ndryshme shëndetësore. Në Shkodër u bllokuan 44.5 tonë (verë, raki, maja, uthull, ujë, lëndë e parë etj) në një biznes aktiviteti i të cilit i ishte ndërprerë aktiviteti në shtator 2017.

Rasti në Tiranë


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ushtroi kontroll në subjektin “Ylli Merja” Tiranë. Nga kontrolli i ushtruar në këtë subjekt Drejtoria Rajonale AKU Tiranë konstatoi etiketa që keqinformonin publikun për aspekte të ndryshme shëndetësore. U konstatuan produkte ushqimore të cilat rezultuan të pa etiketuara apo me etiketë në kundërshtim me ligjin si fasule, sojë, qumësht gomarice, kavanoza me boronicë, çaj, uthull  me mbishkrime mjekësore, hudhër, arrë kokosi, lajthi, stika dhe arra. Ambienti ishte i mbingarkuar me produkte, i pasistemuar, produktet ruheshin ne dysheme dhe disa produkte mbaheshin edhe në ambiente sanitare. Nga verifikimi rezultoi se subjekti operon në këtë adresë i pa pajisur me licencë për aktivitetin përkatës, nuk operon me sistemin e vetëkontrollit HACCP, si dhe nuk disponon sistem funksional gjurmueshmërie.

Për shkeljet e konstatuara ndaj subjektit u morën masat administrative:

a). gjobë 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa licencën përkatëse (kategoria II.1.A (1))

b). gjobë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjieno-sanitare

c). gjobë 200,000 lekë për mungesë të planit të vetëkontrollit (HACCP)

d). gjobë 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë

e). gjobë 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin

Rasti në Shkodër

Në bashkërendim me Strukturat e Policisë Shkodër, Drejtoria Rajobale e AKU Shkodër ushtroi kontroll në subjektin “Briland shpk” me aktivitet “Prodhim pije alkoolike dhe jo alkoolike” në Shkodër,  veprimtaria e të cilit ishte bllokuar nga kontrolli i datës 20.09.2017, ndërkohë që sipas sinjalizimeve subjekti vazhdonte të ushtronte aktivitetin në kundërshtim me ligjin. Në prani të policisë dhe të avokatit të subjektit, u krye inventarizimi i produkteve ushqimore nga ku u konstatuan 44.5 tonë produkte (verë, raki, maja, uthull, ujë, lëndë e parë etj) që vërtetojnë se subjekti vazhdonte aktivitetin në shkelje te ligjit dhe duke shpërfillur Urdhrin e Bllokimit të organit kompetent të sigurisë ushqimore. Nga kontrolli rezultoi se subjekti kishte prishur shenjat dalluese dhe vulat e sigurisë nga inspektimi i mëparshëm. Për këto shkelje ndaj subjektit u morën masat e mëposhtme:

a). gjobë 100,000 lekë për prishjen e shenjave dalluese të vendosura nga trupa inspektuese,

b). gjobë 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,

c). gjobë 200,000 lekë për veprim në kundërshtim me kërkesat për përgjegjësitë e operatorit të biznesit ushqimor,

d). u la në fuqi vendimi i inspektimit paraardhës për ndërprerjen e veprimtarisë së subjektit

e).  u bë bllokimi i 44,513 litra produkte (ujë, pije alkoolike dhe jo alkoolike, lëndë e parë, maja e skaduar  dhe u morën 6 mostra për analiza laboratorike. AKU tha se për këtë rast ka referuar materialet në prokurori.




Skip to toolbar