Gjatë një deklarate qeveritare në Parlamentin Gjerman për Samitin e BE-së në Bruksel, kancelari gjerman Olaf Scholz, bëri thirrje, ndër të tjera, për më shumë mbështetje dhe vlerësim për vendet e Ballkanit Perëndimor. Scholz kujtoi në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili fillon punimet të mërkurën në Bruksel, se “prej 20 vjetësh, vende si Shqipëria, Bosnja-Herzegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje për t’u bërë pjesë e BE-së” dhe shtoi se tani “ka ardhur koha që të gjithë të shohin panoramën e përgjithshme, si kandidatët, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së”. Sipas kancelarit gjerman, kjo panoaramë e përgjithshme është “shansi historik për të lidhur përfundimisht rajonin me Europën dhe për t’ia lënë të kaluarës problemet e së kaluarës”.
“Vende që bëjnë reforma duhet të vlerësohen”
Kjo thirrje shkonte si në adresë të vendeve kandidate, por më tepër në adresë të vendeve antare të BE, që sipas Scholzit duhet të mundësojnë reformimin e brendshëm të unoinit. Konkretisht, kancelari gjerman kërkoi që për shumë hapa, në kuadër të procesit të zgjerimit, të hiqet rregulli i vetos.
“Nuk ka pse çdo vendim, si çelja apo mbyllja e kapitujve të negociatave, të varet nga çdo vend anëtar. Nëse vende, si për shembull Shqipëria, kanë bërë reforma të rëndësishme, kjo duhet të vlerësohet. Përndryshe, rrezikohet të dëmtohet i gjithë procesi i anëtarësimit dhe këtë nuk duhet ta lejojmë”, tha kancelari në mes të duartrokitjeve të shumë deputetëve në sallë.
Çështja Beleri: Gjermania e trajton si bilaterale
Thirrjet e kancelarit socialdemokrat shkonin tërthorazi në adresë të Greqisë, e ciila ka kërcënuar se nuk do të lejojë çeljen e kapitullit të parë të negociatave me Shqipërinë, pa u zgjidhur çështja Beleri. Ndërsa për Greqinë, kjo është një çështje që ka të bëjë me shtetin ligjor dhe të drejtat e pakicave, për Gjermaninë është një çështje bilaterale dhe duhet të zgjidhet brenda kuadrit dypalësht. Një qëndrim, të cilin kancelari gjerman Scholz, e theksoi edhe disa javë më parë gjatë vizitës së kryeminstrit grek, Kyriakos Micotakis në Berlin. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ndodhet prej shtatë muajsh në paraburgim me akuzën për “korrupsion aktiv” për shit-blerje votash