Serbët e Kosovës bojkotojnë censin dhe votimin e kryetarëve, BE: Demokracia është pjesëmarrje

KOSOVA


Bashkimi Evropian ka kërkuar që serbët në veri të Kosovës të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë që ka nisur më 5 prill si dhe të mos bojkotojnë votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veriun e Kosovës. Ky reagim i BE-së erdhi pas deklaratës së Listës Serbë, ku tha se serbët nuk do të jenë pjesë e censusit dhe do bojkotojnë votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe.

BE ka bërë thirrje që serbët të shprehin qëndrimet e tyre, pasi shkarkimin e kryetarëve shqiptarë është kërkuar pikërisht ata pas tensioneve të krijuara në veri të Kosovës.


“Është e domosdoshme që të kthehemi në situatën ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në pushtetin lokal, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Ne i kemi parasysh shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës në lidhje me procesin për zgjedhjet e reja. Pavarësisht kësaj, i bëjmë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për mospjesëmarrje, pasi demokraci do të thotë pjesëmarrje dhe realizim i të drejtës së serbëve të Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutinë e votimit”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Gjithashtu BE tha se serbët në veri duhet të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë dhe se “institucionet e Kosovës të intensifikojnë fushatat informuese për të gjithë banorët, në mënyrë që të gjithë të kenë informacione të mjaftueshme për këtë proces.”

Sipas ligjit, ata që nuk marrin pjesë në regjistrim ose refuzojnë të japin informacionin e kërkuar mund të përballen me gjoba të mëdha financiare.

Si nisën tensionet në veri?

Lista Serbe ishte pjesë e jetës politike kosovare, duke përfshirë edhe përfaqësimin në parlament derisa dhanë dorëheqjen masive në dhjetor 2022. Kjo shkaktoi zgjedhje të reja në komunat veriore me shumicë serbe, të cilat ata gjithashtu zgjodhën t’i bojkotojnë. Fituesit e zgjedhjeve, krebashkiakët shqiptarë, u penguan të hyjnë në ndërtesat e tyre komunale nga serbët lokalë të cilët organizuan protesta masive. Këto protesta shpërthyen në dhunë, ku u plagosën gazetarë, qytetarë dhe trupa të KFOR-it të NATO-s.

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kosovës që të mbajë zgjedhje të reja në rajon, duke kërkuar që ta bëjnë këtë për të depërshkallëzuar tensionet me serbët. Kosova filloi procesin e shpalljes së zgjedhjeve të reja verën e kaluar, duke filluar me një referendum në të cilin qytetarët duhet të votojnë për të hequr kryetarët ekzistues të komunave. Që votimi të jetë i suksesshëm, të paktën 50% plus një e votave duhet të jenë në favor të shkarkimit të një kryetari bashkie. Pas përfundimit të procesit, rezultati do t’i dërgohet Presidentes Vjosa Osmani, e cila duhet të shpallë zgjedhjet brenda 45 ditëve.

Por, Lista Serbe sërish ka thënë se nuk do të marrë pjesë, pavarësisht se është pjesë e procesit për të cilin kanë kërkuar.




Skip to toolbar