Tifozët anglezë duhet të presin të paktën deri më 1 tetor për të shpresuar më pas që të kthehen në tribunat e stadiumeve. Premier League dhe si pasojë edhe Ligat e tjera më të ulëta do të nisin sezonin e ri me dyer të mbyllra. Konfirmimi për këtë vjen nga kryeministri Boris Johnson.
Në konferencën për mediat, ku zbuloi masat e reja anti-Covid, kreu I qeverisë angleze saktësoi se ky është një vendim i përkohshëm. “Nuk do të thotë se kemi hequr plotësisht dorë nga programi ynë. Por gjithsesi duhet ta rishikojmë dhe modifikojmë”, ka thënë Boris Johnson. Në këtë mënyrë, tre javët e para të sezonit të ri në futbollin anglez do të luhen pa tifozë.
Edhe plani për të futur në tribuna një numër të reduktuar personash që në finalen e Superkupës së Anglisë mes Arsenalit dhe Liverpulit dështoi, pas rritjes së numrit të infektimeve në vend. Por Liga e Futbollit dhe klubet bëjnë presion që tifozët të kthehen sa më shpejt në stadiume. Sipas tyre, një sezon i plotë me dyer të mbyllura do të ishte katastrofik për financat, duke llogaritur një humbje prej të paktën 700 milion paund.