Dy persona, njëri nga Lezha dhe tjetri nga Malësia e Madhe janë shpallur në kërkim nga antiterrori, pasi sipas policisë kanë ofenduar myslimanët e Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët shkojnë për pushime në bregdetin shqiptar.
Shkak është bërë publikimi i dy videove nga vetë personat e shpallur në kërkim, të cilët shajnë dhe kërcënojnë se do i vrasin myslimanët nga Kosova dhe Maqedonia, po i zunë në plazhet shqiptare. Reagimi i dy shqiptarëve nga Lezha dhe Malësia e Madhe, të cilët janë identifikuar me emrat Luigj Marku, 36 vjeç, nga Kallmeti i Lezhës dhe Anton Zefi, 39 vjeç, nga Malësia e Madhe është publikuar nga një media online dhe policia tha se menjëherë ka nisur hetimet për këta persona.
“Të dy këta persona janë shpallur në kërkim policor, pasi nga verifikimet ka rezultuar të jenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe materialet në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurori për veprën penale të ‘nxitjes së urrejtjes ose grindjeve’. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të goditur çdo aktivitet të kundra ligjshëm dhe për siguruar një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurtë për të gjithë shtetasit shqiptar apo të huaj që kanë zgjedhur vendin tonë për të kaluar pushimet verore”, deklaron policia.
Nga verifikimi në rrjetet sociale rezulton se këta dy persona janë sulmuar edhe nga shumë përdorues të rrjeteve sociale, të cilët kanë bërë kërcënime dhe ofendime ndaj tyre, duke krijuar kështu një konflikt virtual, ndërsa policia duket se ka marrë masa për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij debati.