SHBA-BE, Kosovës dhe Serbisë: Hiqni pengesat, dialogoni

AKTUALITET


Kuinti i ambasadorëve i ka kërkuar Kosovës heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Me anë të një komunikate të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë kërkuar Kosovës që të pezullojë taksën ndaj Serbisë, ndërsa Beogradit i kërkojnë që të ndalojë fushatë kundër njohjes së Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”.

Kuinti i ambasadave në Kosovë dhe Beograd, shprehen se të dy vendet duhet të rifillojnë sa më shpejt dialogun mes tyre nën udhëheqjen e BE. “Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e kuintit të ambasadave të vendeve perëndimore, drejtuar Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Aktualisht Kosova është pa qeveri, pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqjen një muaj më parë pasi u thirr në Hagë për të dëshmuar para Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Haradinaj e justifikoi dorëheqjen e tij si vullnet për t`u paraqitur në Hagë si qytetar i lirë i Kosovës dhe jo si kryeministër i saj. Megjithatë, një nga shkaqet e dorëheqjes ka qenë dhe presioni ndërkombëtar, që i ka kërkuar vazhdimisht Haradinajt heqjen e taksës prej 100% për mallrat serbe, dhe rifillimin e dialogut me Serbinë.

Këtë gjë e la të kuptohet vetë ish-kreu i ekzekutivit në Kosovë kur deklaroi në një emision televizvi se “ishte gati të jepte dorëheqjen si Kryeministër, por taksën ndaj Serbisë nuk do e hiqte”. Kjo deklaratë u bë më pak se 24 orë para se Haradinaj të merrte vendimin për të dhënë dorëheqjen si kryeministër.



Skip to toolbar