Një gjykatës federal në SHBA urdhëroi shërbimin postar (USPS) të kontrollojë një sërë qendrash për fletë-votime të dërguara me postë, që mund të kenë mbetur pa u shpërndarë dhe t’i dërgojë ato menjëherë në qendrat zgjedhore përkatëse.
Urdhëri i gjykatësit përfshin shtete të tilla si Pensilvania, Florida, Karolina e Jugut, Kolorado, Arizona, Alabama dhe Uajoming. Disa prej tyre janë shtete që mund të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve.
Urdhëri i gjykatësit pasoi një njoftim të shërbimit postar se nuk ka arritur të skanojë për t’u shpërndarë brenda ditës së sotme rreth 300 mijë vota. Gjykatësi ka kërkuar që brenda orës 15 shërbimi postar të bëjë verifikimin se sa vota kanë mbetur pa u shpërndarë dhe të konfirmojë deri në orën 16:30 se asnjë votë nuk do mbesë pa u dërguar në destinacion.
