SHBA: Guxoni dhe luftoni korrupsionin

POLITIKË


Zëvendësambasadori amerikan në detyrë, Daniel Koski kërkoi nga brezi i ri i drejtësisë të fokusohet në luftimin e korrupsionit në mënyrë që të ndihmojë në krijimin e drejtësisë së re dhe një të ardhme të sigurt. Gjatë ceremonisë së diplomimit në Fakultetin Juridik të Tiranës, Koski u shprehu studentëve se kanë të gjithë mbështetjen e SHBA dhe inkurajon ata të bëhen faktorë ndryshimi për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Koski vlerëson të rinjtë si faktori që do demaskojë korrupsionin dhe nderojnë profesionin e tyre.

 “Shpresoj ta ndërtoni të ardhmen duke patur në mendje këto tri aspirata: Së pari, shpresoj të jeni faktorë ndryshimi për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por, dijeni, se puna juaj nuk do jetë e lehtë. Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak të dyshimta. Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë e një brezi të ri që kundërshton korrupsionin kudo që ta shihni. Dhe, ju sfidoj që të bëheni të guximshëm. Demaskojeni korrupsionin dhe nxirreni atë në dritë që ta shohin të gjithë. Kthejeni veten në mbrojtës të një sistemi etik drejtësie dhe heronj të atyre që ai u shërben. Së dyti, shpresoj të përkushtoheni çdo ditë për të nderuar veten, profesionin tuaj dhe bashkëqytetarët tuaj, ndërsa ndihmoni në ndërtimin e një sistemi drejtësie më të mirë për vendin tuaj.

Së treti, shpresoj të merrni forcë dhe guxim nga profesionistët e nderuar dhe parimorë përreth jush që kanë nevojë për ju për t’u bashkuar me ta në këtë luftë për të ardhmen e vendit tuaj. Kërkoni partnerë të besuar në ligjzbatim dhe agjenci të tjera për të mbështetur përpjekjet tuaja fisnike. Ata janë atje, duke ju pritur. Dhe dijeni që Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë me ju për sa kohë ju përkrahni një sistem gjyqësor transparent dhe etik. Mbështetja jonë për atë kauzë dhe për ata që na bashkohen në çuarjen e saj përpara, nuk do të lëkundet kurrë dhe nuk do të dobësohet asnjëherë. “ tha Koski



Skip to toolbar