Shefi i policisë në Manchester: Emigrantët po përdoren si “mish për top”

BOTA


Një drejtues policie në Britaninë e Madhe ka paralajmëruar se emigrantët që jetojnë në azile dhe shtëpitë e fëmijëve po shënjestrohen nga bandat kriminale. Sipas Stephen Watson, shef i policisë në Manchester, emigrantët, pjesa më e madhe e të cilëve shkon në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla, po rekrutohen nga bandat dhe po përdoren si “mish për top”.

Ky zbulim u bë si pjesë e një hetimi në lidhje me rrjetin më të madh të falsifikimit në Britaninë e Madhe që drejtohet në Manchester. Grupet kriminale, po ashtu të lidhura me trafikun e qenieve njerëzore dhe drogave, mendohet se përbëjnë më shumë se gjysmën e tregtisë së mallrave të falsifikuara në Mbretërinë e Bashkuar prej 8.6 miliardë Paund në vit.

Watson tha se bandat po shfrytëzojnë emigrantët duke i përdorur për punë të paligjshme. “Shpirtra të pastër po shfrytëzohen për t’u bërë ‘mish për top’ për krimin e organizuar”, tha ai.

“Përfundimi është se edhe nëse ka një sërë rrethanash që e bëjnë më të ligjshme kërkesën e dikujt për azil në Mbretërinë e Bashkuar, këta emigrantë po shfrytëzohen deri në atë pikë sa nuk ka gjasa që të kthehen në njerëz që i binden dhe të integrohen e të kontribuojnë në shoqërinë tonë”, u shpreh ai.

Përkundrazi sipas shefit të policisë gjasat janë më të larta që këta persona të bëhen kriminelë dhe do të jenë barrë për shtetin.

Këtë vit Watson nisi operacionin “Vullkan” për të shkatërruar bandat. Ekipi i tij ka zbuluar se anëtarët e bandave po paguajnë emigrantë të rinj dhe të rritur 10-20 Paund në ditë si vëzhgues ndaj policisë dhe shpërndarjeve të drogës.

Në Britani po strehohen më shumë se 40 mijë azilkërkues. Ata qëndrojnë në hotele me një kosto ditore që shkon në 7 milionë Paund. Këtë muaj, u zbulua se disa fëmijë refugjatë janë zhdukur. Në Kent, është raportuar më herët se janë raportuar të zhdukur 39 fëmijë, që kishin mbërritur në Britani këtë vit.

Suella Braverman, Sekretarja e Brendshme e Britanisë, po propozon përshpejtim të deportimit të emigrantëve shqiptarë.

“Është e qartë se në shumë raste ka një lidhje të fortë mes bandave kriminale të organizuara dhe emigrantëve të paligjshëm. Kjo është arsyeja se pse qeveria po punon për një opsion që të thyejë modelin e punës së trafikut të njerëzve dhe të sigurojmë që të ndalojmë anijet e vogla që kalojnë kanalin”, tha Ministria e Brendshme.

Më shumë se 40 mijë azil kërkues, të të gjitha kombësive kanë kaluar kanalin në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla. Nga këta, 11 mijë janë shqiptarë. Ndërkohë një vit më parë kanalin e kishin kaluar vetëm 800 shqiptarë.



Skip to toolbar