Shehu, dy herë në listë për deputet i PD dhe këshilltar i bashkisë Tiranë për opozitën

AKTUALITET


Ferdinand Shehu, të cilit iu sekuestruan 1.5 milionë euro në llogaritë e tij bankare, pasi po hetohet për pastrim parash, ka mbajtur një sërë detyrash shtetërore të rëndësishme, si nëndrejtori i Përgjithshëm ALUIZNI, drejtor ALUIZNI i Tiranës, si dhe drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Trafikut Ajror (Albcontrol), me aktivitet politik si kryetari i PD të njësisë 5, kandidat për deputet i PD në 2009 dhe 2013 dhe në vitin 2015 drejtonte fushatën e LZHK për gjithë Shqipërinë. Ai është me profesion inxhinier mekanik, i martuar dhe me 3 fëmijë, me kualifikime shkencore në fushën e energjisë së erës.

Në qershor të vitit 2006, Ferdinand Shehu u emërua zëvendësdrejtor i Përgjithshëm pranë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit te Zonave/Ndërtimeve Informale. Deri në vitin 2010, ai mbajti këtë post, nga i cili do të shkarkohej për t’u emëruar në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t për Tiranën.


Në tetor të vitit 2011, ai i shkarkua nga ALUIZNI i Tiranës me motivacionin “fshehja e të kaluarës e para vitit 1992”. “Përmes manipulimeve në jetëshkrim, duke lënë jashtë tij një eksperiencë pune 4-vjeçare si hetues, në hetuesinë e rrethit të Vlorës (Urdhri nr.8, datë 22.8.1988 i Hetuesisë së Përgjithshme). Pa përfshirë këtu periudhën njëvjeçare të kryerjes se kursit, pranë Hetuesisë së Përgjithshme, gjithashtu e “fshirë” nga jetëshkrimi. Mungon në këtë jetëshkrim dhe detyra si efektiv në Ministrinë e Rendit Publik (shkresa nr. 272, datë 13.04.1992) në profilin e kriminalistikës”, thuhej në atë kohë në deklaratën e ALUIZNI-t.

Megjithatë, Berisha nuk e braktisi Shehun, të cilin e rifuti në listën për deputet në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2013, por që nuk arriti të fitojë.

Dy vite më vonë, në 2015-n, Shehu rishfaqet në zgjedhjet vendore. Ai kandidon dhe fiton si anëtar i Këshillit Bashkiak në Tiranë, por nën siglën e LZHK, funksion që e ka mbajtur deri më sot. Në vitin 2015, ai ishte drejtuesi i fushatës elektorale të LZHK për gjithë Shqipërisë dhe kryesuesi i listës së kandidatëve të LZHK për këshilltarë në Këshillim Bashkiak të Tiranës.




Skip to toolbar