Policia njoftoi të shtunën se ka vënë në pranga dy drejtuesit teknik të punimeve në pallatin 13 katësh në Tiranë, ku si pasojë e rrëzimit të skelës humbën jetën dy punëtorë dhe tre të tjerë u plagosën rëndë. Ndërkohë që është shpallur në kërkim administratori i firmës Petrit Syla.
Në përfundim të hetimeve të aksidentit me dy të vdekur të ndodhur të premten rreth orës 15.00 në rrugën “Faik Konica”, policia njofton se ka arrestuar në flagrancë shtetasit Xh. T. 41 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve në firmën “Xhimi” dhe I. B. 44 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i sigurisë së punimeve në firmën skela “Syla” të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrotjes në punë”.
Ndërkohë është shpallur në kërkim e shtetasi P. S., me detyrë administrator i firmës skela “Syla”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrotjes në punë”.
Gjithashtu për këtë ngjarje filloi procedimi penal për veprën penale “ Shpërdorimi i detyrës “, për punonjësit e Inspektoriatit të Punës Tiranë, pasi punonjesit nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor për këta punonjës.
Ngjarja e rëndë ndodhi të premten rreth orës 15:00, në rrugën “Faik Konica”, që ndodhet pranë rrugës së Elbasanit, në Tiranë. Dy punonjësit që humbën jetën janë Orjan Kodra, 36 vjeç dhe Ergys Brahimaj, 31 vjeç ndërsa 3 të tjerë janë plagosur.