Shenjtërimi i Nënë Terezës, politikanët kërkojnë reflektim

AKTUALITET


Politikanët shqiptarë kanë përkujtuar këtë të enjte 5 shtatorin, ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, ndërsa kanë sjellë mesazhe për reflektim, nisur nga situata politike në vend. Presidenti Meta shkruan në mesazhin e tij se sot është koha të veprojmë për të ndërtuar një Shqipëri të drejtë dhe më sociale që jeton çdo ditë pranë njerëzve dhe halleve të tyre.

“Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin. Është dita e përkujtimit dhe respektit ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar, humane e hyjnore, të simbolit të nënës shqiptare, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes, ndaj kujtdo që vuan dhe ka aq shumë nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.  Me madhështinë e thjeshtësisë së saj, Shën Nënë Tereza është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, sociale, e pranë halleve të përditshme të qytetarëve.


Ashtu siç na porosit e bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë:

“Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!”, shkruan Meta.

Basha: Ditë reflektimi për kohë të vështira

Edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha e cilëson këtë ditë, një “ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare”.

“Sot pas 3 vitesh ndihemi njësoj krenarë si atë ditë, veçse më në vështirësi, më në borxh me trashëgiminë e Nënë Terezës. Sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare. Sepse kur nuk të bëhet më vonë për fatin e një njeriu, nuk të bëhet më vonë për fatin e të gjithëve. Këto vështirësi shoqëria shqiptare nuk i meriton, megjithatë, ne jemi populli i Nënë Terezës, e cila na ka lënë si testament edhe letrat e saj, ku na rrëfen se si duhet të përballojmë dyshimin dhe mungesën e shpresës.

Këmbëngulja dhe besimi se e mira ja del, triumfon mbi të keqen sado me propagandë e maskë tregtari të shitet ajo, gjendet në çdonjërën nga letrat sekrete të Nënë Terezës, të cilat Vatikani, në vendimin e tij për shenjtërim, i dëshmoi si “botëkuptimi i ri, dritarja e re për botën e saj të brendshme, një dritare që tregoi se sa heroike kishte qenë qëndresa e Nënë Terezës në besim dhe në Misionin e saj të Dashurisë”, shkruan ndër të tjera Basha.  

Ruçi: Shën Tereza, dashuri e tolerancë, jo mëri e armë

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përkujtoi Shën Terezën në 22 vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, ndërsa apelon që shqiptarët të udhëhiqen nga toleranca dhe jo nga urrejtja dhe mëritë.

“Më 5 shtator 1997 kombi shqiptar dhe gjithë bota, të varfërit, të sëmurët dhe të pambrojturit anembanë Globit humbën Nënë Terezën.

Rreth dy dekada më vonë Papa Françesku do të na e “kthente” të gjithëve, tanimë Shenjtoren Tereza, e cila do të vazhdojë përjetësisht tu japë dritë, buzëqeshje, besim e shpresë miliarda njerëzve, adhuruesve e besimtarëve. Shën Tereza ishte heroina e dhimbjes dhe e dashurisë njerëzore, apostullja e të varfërve, e të dobtëve dhe e të pambrojturve.

Shën Tereza ishte dhe do të jetë përjetësisht inspirim sipëror i humanizmit, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë. Ne, shqiptarët, kemi një arsye më shumë për ta kujtuar e për tu krenuar me këtë grua, nobeliste, Nënë dhe Shenjtore,  me margaritarin më të çmuar të kombit tonë. Është detyra dhe nderi ynë që t’i bëjmë pjesë të jetës,  pasurisë sonë shpirtërore kombëtare dhe sjelljes e veprimeve tona të përditshme  mësimet e saj.  Të udhëhiqemi e ndriçohemi nga dashuria e toleranca dhe të mos na errësohen gjykimet nga mëritë dhe urrejtja.”, shkruan në mesazhin e tij kushtuar Shën Terezës Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi.

Rama: Gëzuar ditën e Shenjtërimit Nënë Terezë

Ndërsa kryeministri Rama ka zgjedhur vetëm një urim të thjeshtë për ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës pa dhënë mesazhe politike.

GËZUAR DITËN E SHENJTËRIMIT TË NËNË TEREZËS 🙏

Gepostet von Edi Rama am Donnerstag, 5. September 2019

Nënë Tereza u shenjtërua nga Vatikani 3 vjet më herët, në 4 shtatorin e 2016-s dhe caktoi si ditë të së Shenjtës më të re të katolikëve 5 shtatorin, ditën kur ajo më 1997-n, shkoi në amëshim.




Skip to toolbar