Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të aplikohen gjoba për zyrtarët e administratës nëse nuk pajisin brenda afatit të caktuar qytetarët me dokumentin që i nevojitet. Në kuadër të revolucionit dixhital përmes të cilit 50 shërbime publike ofrohen online për qytetarët, Kryeministri vizitoi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit ku paralajmëroi të gjithë drejtuesit e zyrave përgjegjës të administratës shtetërore se nëse qytetarët nuk marrin dokumentin për të cilin kanë aplikuar brenda afatit ligjor, do të gjobiten.
Rama tha se për këtë qytetarët nuk duhet të presin më se administratës i mungon dokumenti por qytetarit do i konsiderohet i marrë dokumenti, kurse drejtuesi i zyrës përgjegjësi për shërbimin e dokumentit do të gjobitet.
Ai shtoi se sportelistëve do t’i shtohet puna duke mos bërë më rolin e ‘policit të trafikt’ siç bënin më parë.
“Problemi kryesor është pjesë e dokumenteve të shtetit. Deri dje i thoje qytetarit që duhet të mbledhësh këto dokumente, nga zyra në zyrë, nga institucioni në institucion, nga radha në radhë, tani s’ka më.
E para është krijuar përshtypja e gabuar që do mbyllen sportelet dhe do mbyllen vende pune. Ato do mbyllen por puna do i dyfishohet. Nuk do rrinë aty si policë trafiku që lidh dosjen kalon dosjen shkon prap, dosjen do e mbushim vetë.
Nëse qytetari aplikon dhe i thua që për 15 ditë do e marrësh, ai do e marrë. Dokumenti do të jepet brenda afateve ligjore. Dhe në rast se ndonjë dokument që duhet të jepet brenda administratës mungon, atëhere qytetari nuk do të presë por atëherë do të gjobitet drejtuesi i zyrës përgjegjëse nga rroga e tij, për shkelje të ligjit. Një herë dy herë, herën e tretë ditë të mbarë. Nuk mund të vonohet dosja e qytetarit se nuk ka administrata një dokument. Asnjë nuk do i mbajë fatin në dorë qytetarit se i mban vonon dosjen apo i mban dokumentin”- tha Rama.