Shërbimi i mamografisë do të qëndrojë hapur edhe pasdite

AKTUALITET


Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi se qendrat shëndetësore ku ofrohet falas shërbimi i mamografisë gjatë gjithë muajit tetor do të qëndrojnë hapur edhe pasdite për t’i ofruar mundësinë edhe grave që janë në punë gjatë orarit zyrtar të paradites.

 “Kontrolli i kancerit të gjirit për gratë duhet të kthehet në një kontroll rutinë, vetëm kështu mund të fitohet beteja me këtë sëmundje”, tha Manastarliu në Lezhë, ku aktualisht po ofrohet shërbimi i mamografisë falas përmes mamografit të lëvizshëm.

Nga Lezha, Manastirliu lajmëroi edhe zgjerimin e orarit për ofrimin e shërbimit të mamografisë në spitalet ku ofrohet ky shërbim.

“Duke qenë se fokusi ynë primar është te parandalimi, gjatë muajit Tetor në të gjithë njësitë ku ofrohet shërbimi i mamografisë gratë mund ta kryejnë mamografinë edhe në oraret e pasdites, deri në orën 18:00”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se që nga viti 2015 janë më shumë se 20 mijë gra që kanë kryer kontrollin e gjirit në njësitë e mamografive të lëvizhme, Manastirliu tha se mamografët e lëvizshëm janë shpërndarë nga veriu në jug sipas një kalendari të përcaktuar.

“Ne kemi hartuar gjatë këtij muaji një kalendar të mamografëve të lëvizshëm dedikuar muajit Tetor të cilët do të jenë në Lezhë, Librazhd, Mirditë, Lushnje, Pukë, Tropojë, Fier, Krujë, Kuçovë, Bulqizë, Përmet”, tha ministrja.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur një fushatë sensibilizuese me aktivitete të ndryshme për ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave për të kryer kontrollin e gjirit, për të parandaluar në kohë sëmundjen.



Skip to toolbar