Policia e Lushnjës ka parandaluar përshkallëzimin
e një konflikit, nisur mes tre adoleshentëve në fshatin Dushk të kësaj bashkie.
Sipas komunikatës së policiës, mësohet se gjatë të enjtes, në fshatin Dushk
kishte nisur një konflikt fizik mes tre adoleshentëve.
Pas marrjes së njoftimit policia ka shkuar në
vendngjarje dhe ka konstatuar se midis shtetasit A.M., 16 vjeç dhe shtetasve
E.N., 14 vjeç dhe F.R., 14 vjeç, kishte ndodhur një konflikt për motive të
dobëta. Gjatë konfliktit shtetasit E.N dhe F.R në bashkëpunim me njëri-tjetrin,
kishin qëlluar me mjete të forta shtetasin A.M.
Me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të
konfliktit dhe të ndonjë ngjarjeje të mundshme kriminale, policia shoqëroi në
ambientet e Komisariatit të Policisë Lushnjë për veprime të mëtejshme
adoleshentët, si dhe ushtroi kontroll në banesat e tyre.
Si rezultat i kontrollit, në banesën e
shtetasit A.M u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri automatik me një krëhër
dhe 9 fishekë. Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në
Komisariatin e Policisë Lushnjë, arrestuan në flagrancë shtetasin A.M., 16
vjeç, banues në Lushnjë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” në ngarkim të shtetasit A.M dhe “Plagosja e lehtë me dashje” në ngarkim të shtetasve E.N dhe F.R.