Rama publikon mesazhin e Suela Konjarit: Të kalojmë bindjet partiake, teatri na jep mundësi të besojmë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka publikuar një tjetër reagim të artistëve që janë pro ndërtimit të një teatri të ri, në vend të atij ekzistues. Rama sjell mendimin e aktores Suela Konjari, të cilin e shoqëron me komentin e tij, se aktorja i përket gjeneratës së artistëve që doli në skenë në vite të vështira, të ndryshimit të sistemeve. “Suela Konjari i përket gjeneratës që doli në skenë në vitet e vështira të ndryshimit të sistemeve dhe spikati me rolet e saj përpara publikut të Teatrit Kombëtar. Në çështjen e shumëdebatuar të godinës së teatrit, ajo ndan të njëjtin opinion me shumicën dërrmuese të komunitetit teatror”, shkruan Rama.

Ndërkohë, aktorja Suela Konjari jep mendimin e saj, duke u shprehur se artistët duhet të tejkalojnë bindjet partiake, dhe të gjendet një gjuhë e përbashkët për të zgjidhur problemet. “Kur mbaron një shfaqje teatri, melodia e parë që vjen për aktorin në skenë janë duartrokitjet e publikut. Me këtë dua të them, ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistët, që t’i tejkalojnë bindjet partiake, teatri është mbi partitë. Shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin. Teatri na jep mundësinë që ta duam njëri-tjetrin dhe ta besojmë. Shpresoj që të arrijmë më të mirën e mundshme”, përfundon komenti i artistes Suela Konjari.





Skip to toolbar