Sherr me thika në lokal, vritet i riu

AKTUALITET


Përplasja në një lokal mes dy grupeve të rinjsh ka përfunduar me bilanc tragjik, ku një 29-vjeçar është vrarë me thikë, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë, ndërkohë që policia ka vënë në pranga protagonistët nga të dy kampet e konfliktit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Sllatinë të Dibrës në orët e para të së martës, ku katër të rinjtë e përfshirë në konflikt, nga dy vëllezër secila palë, mësohet se kanë qenë duke konsumuar alkool deri në çastet para konfliktit, efekti i të cilit mendohet se ka nxehur gjakrat mes tyre.

Burimet policore thanë se protagonistët kanë pirë alkool gjer në orën 3 të mëngjesit të së martës dhe më pas janë përfshirë në një konflikt banal, ku kanë përdorur thika e mjete të forta duke kthyer “festën” në tragjedi që mori jetën e 29 vjeçarit Dukagjin Plaku.

Sipas të dhënave policore, mësohet se gjithçka ka nisur pas një debati me njëri-tjetrin, për motive të paqarta, ku 29-vjeçari i identifikuar si Dukagjin Plaku është qëlluar me thikë, e për pasojë ka humbur jetën në spital. Në sherr janë përfshirë 4 anëtarë të dy familjeve. Fillimisht ka qenë vëllai i viktimës, Q.P, 24 vjeç që ka plagosur  24-vjeçarin M. H. Më pas ky i fundit në shenjë hakmarrje, ka marrë vëllain e tij dhe ka goditur me thikë 29-vjeçarin, ku gjeti dhe vdekjen.

Policia njofton se ka arrestuar dy vëllezërit, J.H. dhe M. H banues në fshatin Sllatinë dhe vëllain e viktimës, të përfshirë në konflikt Q.Plaku.



Skip to toolbar