Sherr në rrugë, plagosen me thika dy vëllezër në Mat

AKTUALITET


Dy vëllezër janë sulmuar me thika në mes të rrugës dhe për shkak të plagëve të marra janë dërguar me urgjencë në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Burrel, ku të plagosur me thikë mbeten dy vëllezërit A. Sh., 25 vjeç dhe A.Sh., 22 vjeç, banues në këtë qytet, të cilët u dërguan ne spital, ku për fat janë jashtë rrezikut për jetën. Policia bën me dije se ka arrestuar një nga autorët e dyshuar të ngjarjes dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.

Sipas të dhënave nga policia, në pranga ka rënë A. N., 28 vjeç, banues në fshatin Shelli, Njësia Administrative Macukull, Bashkia Mat si dhe janë shpallur në kërkim L. L., 26 vjeç dhe Xh. M, 24 vjeç, të dy banues në Burrel.


“I arrestuari, në bashkëpunim me dy shtetasit e shpallur në kërkim, pas një konflikti për motive të dobëta, në rrugën ‘Kuvendi i Dukagjinit’, lagjja ‘Partizani’ në Burrel, kanë plagosur me thikë dy vëllezërit. Pas marrjes së njoftimit për konfliktin që po ndodhte, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, ku dy prej autorëve kanë mundur të largohen, por janë identifikuar dhe shpallur në kërkim”, deklaroi policia e Matit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për ndjekje të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.




Skip to toolbar