KQZ ka përfunduar numërimin dhe tabulimin e votave në të gjithë vendin, duke konstatuar se kanë marrë pjesë në zgjedhje 812 249 votues, nga 3 536 015 persona në listat zgjedhore, ose thënë ndryshe 22,97%.Shifra fillestare e raportuar mbrëmjen e 30 qershorit ishte 771 893 votues, por pas rakordimit me të dhënave paraprake të raportuara nga KZAZ-të në sistemin elektronik, rezulton se numri total i qytetarëve që morën pjesë në zgjedhje është edhe më i lartë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi se numri i përgjithshëm i votave të vlefshme për Kryetar bashkie është 765.825 ndërsa për këshill bashkiak është 760.933.
“Numri i përgjithshëm i votave të pavlefshme për kryetar bashkie është 45.276, ndërsa për këshillat bashkiak është 49.986”, tha zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj. Në këto të dhëna mungojnë numri i fletëve të votimit të dëmtuara apo të hedhura në kutinë e gabuar.
Tabulimi i rezultatit këtë herë është mbyllur brenda 48 orëve nga momenti i mbylljes së votimit. Menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit dhe miratimit me vendim të tabelës së rezultateve nga KZAZ-të për zonat përkatëse të administrimit zgjedhor, KZAZ-të kanë nisur dorëzimin në KQZ të kutive të votimit dhe kutive me materialet zgjedhore, sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Ky proces vijon, pasi volumi i materialeve zgjedhore është i konsiderueshëm.
“Gjithashtu, KZAZ-të kanë dorëzuar në KQZ tabelat e rezultateve të zonave të administrimit zgjedhor së bashku me tabelat e rezultateve të nxjerra nga grupet e numërimit të votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me administrimin e mëtejshëm të procesit, sipas hapave dhe procedurave që parashikon Kodi Zgjedhor, deri në përfundimin e tij”, deklaroi zëdhënësja e KQZ.
Sipas ligjit, për 51 bashkitë e administruara nga një KZAZ, afati 5 ditor i ankimimit fillon nga data e miratimit të vendimit për nxjerrjen e rezultatit nga KZAZ. Ndërsa për 10 bashkitë ku procesi është administruar nga më shumë se një KZAZ, afati 5 ditor i ankimimit fillon datën e miratimit të tabelës së rezultateve nga KQZ.
“Duke marrë shkas nga ambiguiteti dhe disa keqinterpretime që janë vërejtur këto ditë lidhur me shifrat paraprake që KQZ me të drejtë vlerësoi të publikonte për të informuar publikun e interesuar, theksojmë se rezultati përfundimtar zyrtar do të shpallet vetëm pas përfundimit të afateve ankimore në rrugë administrative pranë KQZ apo ankimimeve të mundshme në Kolegjin Zgjedhor”, tha KQZ.