Meta kërkon “shpëtim” te raporti i ODIHR

AKTUALITET


Një ditë pasi publikoi raportin me 55 faqe ku i bënte mbrojtjen vetes përballë Komisionit të Venecias, Ilir Meta ka shkruar një editorial të gjatë, me shumë referenca nga Raporti i OSBE/ODIHR, që sipas tij, janë “skaneri që ndan shtetin e propagandës nga shteti i së drejtës”. Meta, duke cituar raportin e ODIHR, i jep vetes meritën se “Presidenti ka qenë mbi palët” dhe “ka bërë të pamundurën për të zgjidhur krizën politike”. “Ky konstatim i OSBE/ODIHR më 14 qershor, vetëm katër ditë pas firmosjes së dekretit për shtyrjen e 30 qershorit, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore, tregon se Presidenti, në mënyrë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse, në respekt të pozicionit të tij kushtetues mbi palët, kishte bërë të gjitha përpjekjet për zbutjen dhe tejkalimin e krizës, për të zëvendësuar konfrontimin me dialogun gjithëpërfshirës”, shkruan ndër të tjera Meta. Më tej, Meta gjen “fajtorin”, që sipas tij nuk pranoi dialogun. Ai akuzon Kryeministrin Edi Rama për kokëfortësi, duke i quajtur 7 letrat publike të kreut të qeverisë drejtuar Bashës për dialog, si “konsum propagandistik”.

“Por çfarë e bëri të pamundur rishikimin e datës së zgjedhjeve përmes dialogut gjithpërfshirës? Tashmë është shumë e qartë: kokëfortësia dhe vendosmëria e Kryeministrit Rama për të zhvilluar zgjedhje pa opozitën, pa bërë përpjekjet më minimale dhe të sinqerta, për të shmangur pasojat. Ky konstatim i OSBE/ODIHR tregon qartë se deklarimet publike të Kryeministrit për dialog ishin vetëm për konsum propagandistik, pasi duke mos pranuar shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, ai e bënte të pamundur arritjen e dialogut me opozitën”, shkruan Meta.

Më tej, pasi e sulmoi opozitën për “djegie të parlamentit”, Meta rikthehet te flirtimi me Bashën, duke i dalë në mbrojtje. Një ditë, pasi në një intervistë në TV Klan Kryeministri Edi Rama deklaroi se “nuk do të komentojë më deklaratat e kundërshtarëve”, gjë të cilën e kishte lënë të kuptohet qysh në verë, madje as deklaratat e Metës “se do ti jepte titullin ‘Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, Meta shprehet se ‘opozita nuk kishte pse të futej në zgjedhje, pasi Kryeministri nuk i jepte mundësinë të merrte pjesë në zgjedhje demokratike”.

“Për çfarë do të ulej opozita në dialog me Kryeministrin, nëse ai nuk i jepte mundësinë të merrte pjesë në zgjedhje vendore demokratike dhe sipas standardeve europiane?! Opozita ishte larguar nga Parlamenti dhe 182 deputetë dhe kandidatë të saj kishin refuzuar mandatet e përfaqësimit. Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare përsëri 18 vende të opozitës kanë mbetur bosh në Kuvendin e Shqipërisë, që sot ka 122 deputetë nga 140 që është numri i detyrueshëm kushtetues”, thotë Presidenti.

Meta gjen përsëri argument për të sulmuar reformën në drejtësi. Sipas tij, mazhoranca “kishte përjashtuar” opozitën nga zbatimi konsensual i Reformës në Drejtësi. Rasti, sipas Metës, ishte zgjedhja e  Prokuores së Përgjithshme Arta Marku.

“Ndërkohë që më parë mazhoranca e kishte përjashtuar opozitën nga zbatimi konsensual i Reformës në Drejtësi duke e provokuar me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm (term ky që nuk ekziston në Kushtetutë) me 69 vota në mënyrë tërësisht të njëanshme. Në këto kushte, a mund të shkonte opozita në një “dialog” për ta uruar Kryeministrin për fitoren me 100% të bashkive dhe këshillave bashkiakë pa kundërshtarë, duke patur parasysh se partitë e Opozitës së Bashkuar përfaqësojnë nga zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2015, 48.6 % të votave ndërsa PS bashkë me aleatët 43% të votave?!”, shkruan ndër të tjera Meta.

Ndërkohë, Ilir Meta, duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet, synon një tjetër “vetëmbrojtje” në kuadër të procesit të shkarkimit të tij. Madje, editoriali i Metës, vjen fill pas Intervistës së Kryeministrit Edi Rama të së hënës në Tv Klan, ku deklaronte se “shkarkimi i Presidentit është proces dhe do t`i shkohet deri në fund”. Meta, ndonëse e “mori lehtë” në fillim, pasi deklaroi se do të qëndronte në zyrë deri në përfundim të mandatit kushtetuese, megjithatë, prej momentit që në lojë është futur Komisioni i Venecias, Presidenti është bërë “serioz”, duke përdorur çdo argument, që sipas tij është ligjor dhe kushtetues, për tu mbrojtur.

I tillë ishte dhe raporti i të hënës me 55 faqe, ku në gjithë frymën e tij, Meta paraqiste veten si “i paanshëm” dhe “mbi palët”, por nga ana tjetër, në gjithë frymën e raportit, Presidenti tregonte qartë pozicionin e tij, më opozitar se sa vetë opozita. Frika e shkarkimit është dukur qartë, Meta ka pranuar në disa mënyra shkeljen e Kushtetutës, aq sa për herë të parë ai përmendi se “do të jepte dorëheqjen, nëse Komisioni i Venecias vërteton shkeljet e Kushtetutës”. /Realstory.al/



Skip to toolbar