Tusk: Shqipëria meriton negociatat, s’po ju bëjmë nder

Më të fundit


Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk ka rritur shpresat e shqiptarëve se më 18 tetor mund të jepet një dritë jeshile për hapjen e negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Europian. Gjatë një konference të shkurtër për shtyp të zhvilluar me kryeministrin Rama, Tusk dha mesazhin se Shqipëria meriton t’i hapen negociatat. Tusk tha se vendi ka ecur përpara me rekomandimet dhe dhënia e një “PO-je” nga BE duket se është më afër se kurrë. Për Tusk, nëse negociatat hapen në tetor, kjo do të ndodh falë përpjekjeve dhe arritjeve të Shqipërisë dhe askush të mos mendojë se po u bëhet një nder. Ai kërkoi nga Shqipëria që të vazhdojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe nuk duhet të ketë më asnjë mëdyshje, se ajo i meriton hapjen e negociatave në tetor.

 “ I dashur mik, i dashur Edi. Faleminderit për “yllin e mirënjohjes publike”. Sot ju më thatë se e meritoj këtë medalje për mbështetjen e dhënë. Medalja më e madhe do të ishte çelja e negociatave për Shqipërinë. Në sajë të përpjekjeve tuaja i jemi afruar këtij objektivi dhe askush nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël, as në Tiranë dhe as në kryeqytetet e BE-së. Po i afrohemi më shumë këtij momenti. BE-ja duhet të çelë negociatat, si me Shqipërinë edhe me Maqedoninë. Vendi juaj duhet të trajtohet me të njëjtin respekt si janë trajtuar vendet e tjera të rajonit gjatë negociatave  të tyre me BE.


Bashkimi Europian është i fiksuar me luftën kundër korrupsionit dhe marrëdhënien e fqinjësisë së mirë, pasi kjo është pjesë e ADN-së tonë. Përndryshe projekti i familjes evropiane nuk do të qëndronte dot në themele të forta. Nuk ka Europë të sigurt dhe stabël pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, dhe në këtë drejtim askush nuk po i bën askujt ndonjë nder.” është shprehur Tusk, i cili ka falenderuar kryeministrin Rama për dhënien e medaljes së mirënjohjes publike për mbështetjen e dhënë në procesin e Integrimit.

Rama, gjatë fjalës së tij të shkurtër, vlerësoi Tusk, duke thënë se “ ka luajtur gjithmonë rolin e avokatit për çeljene e negociatave për shqiptarët

Kjo konferencë erdhi pas takimit të Edi Ramës dhe kreu i KiE, Tusk zhvilluan në Kryeministri, që zgjati rreth 50 minuta. Në takim është diskutuar për procesin e integrimit dhe kushtet që BE ka vendosur për Shqipërinë për çeljen e negociatave. Kushte, që Tusk i bëri të dituar gjatë konferencës që janë sundimi i ligjit për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Shqipëria prej kohësh po punon për një Reformë të thellë në Drejtësi, që është vlerësuar si nga SHBA dhe BE. Megjithatë të gjithë presin prova konkrete dhe këto do të jepen me krijimin e SPAK dhe BKH që do të hetojnë korrupsionin në nivele të larta qeverisëse. Arrestimi i politikanëve të korruptuat është prova më e madhe që BE pret të shoh nga drejtësia e re. / RealStory




Skip to toolbar