Shkarkimi i Metës, Rama: Venecia konfirmoi drejtësinë e mazhorancës

#NËRADAR


Kryeministri Edi Rama reagoi pasditen e të premtes, pak orë pasi Komisioni i Venecias miratoi Opinionin përfudimtar të kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në lidhje me hetimet e nisura për Presidentin Ilir Meta. Kreu i qeverisë, shkruan se: “Komisioni i Venecias, konfirmoi pa asnjë ekuivok, drejtësinë e qëndrimit tonë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit”.

Sipas Kryeministrit Rama, Komisioni i Venecias arriti në tre përfundime thelbësore. Së pari, “Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të fitonin mundësinë të pengonin çdo proces zgjedhor”, shkruan Rama.

Përfundimi tjetër, është se “Anullimi i zgjedhjeve dhe më tej shtyrja e tyre cenoi të drejtën e shtetasve për të zgjedhur”, ndërsa përfundimi i tretë është se “Presidenti veproi në mungesë të bazës ligjore kur anulloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në kushtetutë dhe në ligj”, tha Kryeminstri.  

Edi Rama dhe mazhoranca, janë të palëkundur në qëndrimin e tyre, se “Presidenti shkeli Kushtetutën”, ndaj dhe janë të vendosur për ti shkuar deri në fund procesit të shkarkimit të kreut të shtetit. Komisioni Hetimor Parlamentar, tashmë me afat të zgjatur, do të ketë si bazë të vendimit përfundimtar të hetimit të Ilir Metës, gjetjet e Komisionit të Venecias./Realstory.al/



Skip to toolbar