BE për drogërat: Trafiku në rritje, treg rekord 30 mld €. Ballkani rruga kryesore


Këtë vit trafiku i drogërave të forta ka pësuar rritje. Kjo ishtje gjetja e raportit të bashkimit europian për vitin 2020. Sipas të dhënave të përpiluara problemi i kokainës në Evropë po përkeqësohet. Komisionerja e BE për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, tha droga në Europë është bërë mjaft shqetësuese, dhe kap një një treg prej 30 miliardë eurosh. Fitimet qarkullojnë në banka dhe grupet e krimit të organizuar po fuqizohen duke blerë njerëz, fuqi, e duke bërë që krimi i organizuar të minojë shoqërinë dhe demokracinë. Sipas komisioneres  rruga e Ballkanit është furnizuesja kryesore e heroinës në BE, dhe përdorimi i drogërave po rritet eksponencialisht, vit pas viti.

“Aty ku ka drogë, shpesh ka edhe armë, krim dhe vrasje. Aty ku ka trafikantë droge, ka edhe krim të organizuar. 5 mijë grupe të krimit të organizuar janë aktive në Evropë. Më shumë se 1/3 merren me drogë. Tregtia e drogës mbështet krimin e organizuar me 30 miliardë euro në vit. Tregtia e jashtëligjshme e drogës është tregu më i madh kriminal në Bashkimin Evropian.


Në raport thuhet se në vitin 2018 sasia e kokainës së sekuestruar në Bashkimin Evropian arriti nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë, me më shumë se 110 000 konfiskime të  raportuara, që arrinin në 181 ton. Sasia e kokainës së kapur tejkaloi rekordin e mëparshëm, nga 2017, me më shumë se 42 tonë.

Drejtori i Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogat dhe Varësinë nga Droga Alexis Goosdeel i druhet rënies ekonomike pasi sipas tij do të sjellë përfshirjen e shumë njërëzve në aktivitetin e drogës.

Duhet të jemi të kujdesshëm me çfarë ndodh në muajt në vijim. Të gjithë presin një rënie të thellë ekonomike që mund të rrisë cenueshmërinë e disa grupeve të popullatës që janë vulnerabël. Gjithashtu ka rrezik për shkak të situatës. Mund të kemi përfshirjen e më shumë njerëzve në aktivitete të lidhura drejtpërdrejt ose jo me drogën”,

Raporti vëren gjithashtu se pandemia e koronavirusit ka ndikuar edhe në aspektin e trafikut dhe marrjes se drogës. Raporti tregon se izolimi i ka bërë më krijues trafikantët me mënyrën si ata furnizojnë përdoruesit, ndërsa të varurit kanë pasur vështirësi në marrjen e trajtimeve për lënien e drogës.


Raporti për korrupsionin, OSBE: Zbatoni reformën në drejtësi


Prezenca e OSBE në Tiranë, reagoi të enjten në lidhje me raportin e Transparency International për perceptimin publik të korrupsionit. OSBE shpreh keqardhje për rezultatet e raportit për perceptimin publik të korrupsionit në Shqipëri. Gjithashtu, Zyra e Prezencës së kësaj organizate, thotë se “prirja e përgjithshme negative në rajonin e Evropës Juglindore, përfshirë dhe Shqipërinë, sa i përket luftës kundër korrupsionit mbetet shqetësuese.

“Vërejmë me keqardhje vijimin e përkeqësimit të perceptimit publik ndaj korrupsionit në vend, siç dëshmon Indeksi më i fundit i Transparency International, rezultatet e të cilit u botuan sot. Shqipëria shënoi një pikë më pak në krahasim me vlerësimin e vitit 2018, duke humbur shtatë vende në klasifikimin global. Prirja e përgjithshme negative në rajonin e Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, sa i përket luftës kundër korrupsionit mbetet shqetësuese”, thotë OSBE.


Megjithatë, OSBE i bën thirrje institucioneve shqiptare dhe organeve ligjzbatuese të vijojnë zbatimin e reformës në drejtësi, ndërsa kërkon më shumë transparencë për shpenzimet publike. “Në dritën e gjetjeve të Transparency International, Prezenca e OSBE-së i bën thirrje institucioneve publike dhe organeve ligjzbatuese të vijojnë zbatimin e reformës në drejtësi dhe atyre kundër korrupsionit, të sigurojnë integritet dhe transparencë më të madhe institucionale në shpenzimet publike, si dhe të zgjerojnë hapësirën për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në monitorim të pavarur”, thotë OSBE.

Ndërsa në fund, kjo organizatë përsëritë thirrjen që të adresohen në reformën zgjedhore rekomandimet e OSBE/ODIHR për financimin e partive në fushtat zgjedhore. ‘Meqenëse analiza mbarëbotërore e Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit këtë vit thekson nevojën për adresimin e korrupsionit në zgjedhje, përsërisim thirrjen tonë për reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, përfshirë ato lidhur me financimin e partive dhe të fushatave zgjedhore”, thotë OSBE.

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi tw enjten Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, i cili vlerëson se mbi dy të tretat e vendeve janë duke shënuar hapa prapa në përpjekjet antikorrupsion. Perceptimi mbi korrupsionin mbetet i njëjtë në Shqipëri dhe për vitin 2019, ashtu si në vitin 2018, ku rezulton se Shqipëria nuk ka bërë hapa para dhe kjo ka bërë që ajo të zbresë në renditjen e 180 vendeve të futura në përllogaritje nga organizata Transparency International.


Konferenca e Donatorëve/ BE-OKB-BB do hartojnë raportin me qeverinë


Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, me kërkesë të qeverisë shqiptare, janë përfshirë në procesin e vlerësimit të dëmeve nga tërmeti. Në një komunikatë zyrtare të Delegacionit të BE në Tiranë, mësohet se objektivi kryesor i këtij angazhimi është ndihma për qeverinë shqiptare për të vlerësuar ndikimin e tërmetit dhe për të përcaktuar një strategji të rimëkëmbjes, përfshirë vlerësimin e kostove financiare.

“Ekipet e specializuara, me ekspertë ndërkombëtarë dhe kombëtarë, tashmë kanë filluar të punojnë së bashku me zyrtarët qeveritarë që nga 16 dhjetori për të rënë dakord mbi metodologjitë e mbledhjes së të dhënave. Ata aktualisht janë duke vlerësuar ndikimin në sektorët e shëndetësisë, arsimit, strehimit, turizmit dhe punësimit, në infrastrukturën e komunitetit. Sektorët ndërkufitar të makroekonomisë dhe varfërisë, mbrojtja sociale dhe mbrojtja civile, si dhe ulja e rrezikut nga katastrofat, janë shikuar me kujdes”, thuhet në deklaratën e BE.


“BE qëndroi pranë Shqipërisë që nga dita e parë pas tërmetit me dhembshuri dhe veprim. Ne jemi duke udhëhequr Vlerësimin e Nevojave të Pas katastrofës në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, i cili do të jetë baza e konferencës së donatorëve të udhëhequr nga BE që do të zhvillohet në fillim 2020”, tha ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca.

“KB përmes shumë agjencive të saj – veçanërisht UNDP, UNICEF dhe OBSH, përfshirë agjensi të specializuara si UNESCO, FAO dhe Organizata Botërore e Turizmit, po kontribuojnë në këtë vlerësim të shpejtë për të ndihmuar Shqipërinë të rimarrë veten shpejt. Ndërtimi i kapaciteteve institucionale të Shqipërisë për të zvogëluar rrezikun dhe për të përmirësuar reagimin e ardhshëm ndaj katastrofave duhet të jetë një përparësi”, tha Koordinatori i Përhershëm i KB në Shqipëri, Brian J. Williams.

“Banka Botërore po punon ngushtë me qeverinë shqiptare, BE dhe OKB si pjesë e ekipit të PDNA”, tha Maryam Salim, menaxher Bankës Botërore për Shqipërinë. “Banka Botërore ka përgatitur një vlerësim të shpejtë të situatës duke përdorur metodologjinë globale të shpejtë të vlerësimit të dëmtimit pas katastrofës (GRADE), me mbështetje nga BE, e cila siguron vlerësimet fillestare të dëmeve ekonomike në sektorë dhe shpërndarjen hapësinore të tyre dhe do të futet në raportin e PDNA. Ne presim që PDNA të prodhojë një pasuri të të dhënave dhe një analizë të dëmeve dhe të rekomandojë veprime rimëkëmbje”.

PDNA do të përfundojë me një raport gjithëpërfshirës duke përfshirë një strategji të rimëkëmbjes që do të prezantohet nga Qeveria në Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet në fillim të vitit 2020.


Shkarkimi i Metës, Rama: Venecia konfirmoi drejtësinë e mazhorancës


Kryeministri Edi Rama reagoi pasditen e të premtes, pak orë pasi Komisioni i Venecias miratoi Opinionin përfudimtar të kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në lidhje me hetimet e nisura për Presidentin Ilir Meta. Kreu i qeverisë, shkruan se: “Komisioni i Venecias, konfirmoi pa asnjë ekuivok, drejtësinë e qëndrimit tonë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit”.

Sipas Kryeministrit Rama, Komisioni i Venecias arriti në tre përfundime thelbësore. Së pari, “Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të fitonin mundësinë të pengonin çdo proces zgjedhor”, shkruan Rama.


Përfundimi tjetër, është se “Anullimi i zgjedhjeve dhe më tej shtyrja e tyre cenoi të drejtën e shtetasve për të zgjedhur”, ndërsa përfundimi i tretë është se “Presidenti veproi në mungesë të bazës ligjore kur anulloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në kushtetutë dhe në ligj”, tha Kryeminstri.  

Edi Rama dhe mazhoranca, janë të palëkundur në qëndrimin e tyre, se “Presidenti shkeli Kushtetutën”, ndaj dhe janë të vendosur për ti shkuar deri në fund procesit të shkarkimit të kreut të shtetit. Komisioni Hetimor Parlamentar, tashmë me afat të zgjatur, do të ketë si bazë të vendimit përfundimtar të hetimit të Ilir Metës, gjetjet e Komisionit të Venecias./Realstory.al/


Venecia vulos për Metën: Dhe në luftë zgjedhjet shtyhen nga parlamenti


Komisioni i Venecia ka vulosur raportin përfundimtar për Presidentin Meta, ku theksohet se ai tejkaloi kompetencat me anulimin dhe më pas shtyrjen e zgjedhjeve. Përmes një komunikate për raportin përfundimtar, Komisioni i Venecias thekson se presidenti nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik, madje edhe në raste lufte shtyrja e tyre miratohet nga Parlamenti.

Komisioni i Venecias miratoi draft raportin e publikuar më parë pa ndryshime të mëdha thelbësore ku theksohet se Presidenti tejkaloi kompetencat me anulimin e 30 qershorit. Megjithatë në komunikatë theksohet se do të jetë Gjykata e Kushtetuese që do vendos për shkarkimin apo jo të tij.


Edhe nëse Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat me shtyrjen e zgjedhjeve lokale, shkarkimi mund të mos justifikohet. Në sfondin e një procedure aktuale të shkarkimit të presidentit shqiptar, Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej mandatit elektoral të autoriteteve lokale, ekspertët e Këshillit të Evropës në Komisionin e Venecias konkludojnë se ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që mund të justifikojnë shkarkimin.

Në opinionin e miratuar sot, i cili është bërë me kërkesë të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias thekson se Presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rastet e emergjencave shtetërore, si lufta apo katastrofat natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një legjislacion ‘ad hoc’ për të shtyrë zgjedhjet.

Në përgjigje të krizës politike në vend dhe bojkotit elektoral nga disa parti të mëdha politike, Presidenti fillimisht anuloi dhe më pas i shtyu zgjedhjet lokale. Edhe nëse Parlamenti mund të konfirmojë se Presidenti ka tejkaluar kompetencat, Komisioni i Venecias vë në pikëpyetje nëse kjo është e një karakteri të tillë sa të provojë “shkelje serioze.

Ekspertët nënvizojnë thirrjen e Presidentit për dialog dhe besimin se shtyrja e zgjedhje mund të kontribuonte në një kompromis midis partive. Ata theksojnë mungesën e sfidimit të dekreteve të Presidentit përpara një gjykate.

Për më tepër, zgjedhjet lokale nuk kanë të njëjtin status kushtetues si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë se edhe nëse Kuvendi do të përcaktonte seriozitetin e shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në shkarkim, duke marrë parasysh fuqinë e seancave plenare të Kuvendit për të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë mbajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabiliteti në vend. Nëse Kuvendi do të vendoste në favor të shkarkimit, në fund do t’i takonte Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht nuk funksionon, të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit janë shkelje “serioze” që do të justifikonin shkarkimin e tij.” thuhet në komunikatën e Komisionit të Venecias

Para publikimi të draftit paraprak të Venecias, Meta u shpreh gjatë një interviste për Çim Pekën se nëse do të gjendeshin shkelje të Kushtetutës nga ana e tij, ai do të jepte dorëheqjen pa pritur fare vendimin e Kuvendit. Pas gjetjeve të shkeljeve dhe tejkalimit të kompetencave Meta nuk hezitoi të sulmonte Venecian, duke cituar “se u çmend Venecia, nuk do të thotë se do të çmendemi dhe ne”. Në këtë mënyrë Meta jo që nuk pranoi shkeljet e theksuara nga Komisioni i Venecias, të cilin i besonte verbërisht, por tregoi se nuk do të jap dorëheqjen edhe pse e kishte thënë vetë me gojën e tij.


Zaloshnja: Rritet besimi i qytetarëve te Policia


Nga Eduard Zaloshnja

Instituti AGENDA në bashkëpunim me statisticienin Eduard Zaloshnja, publikoi gjetjet e një sondazhi, në lidhje me besueshmërinë e punës së Policisë në kryeqytet. Sipas sondazhit, në tremujorin e tretë të vitit 2019, krahasuar me një tremujor më parë, ka patur një rrritje të ndjeshme statistikisht të opinionit pozitiv të banorëve të qarkut Tiranë (16 vjeç e sipër), për punën e policisë së qarkut të tyre (është ngjitur në nivelin 61%).


Ndërkohë, ka patur edhe një ulje të opinionit negativ (ka zbritur në nivelin 29%). Një prirje e ngjashme vërehet në rang republike; ka rritje domethënëse statistikisht të opinionit pozitiv për policitë e qarqeve (krahasuar me një tremujor më parë), duke u ngjitur në nivelin 57%, ndërkohë që opinioni negativ është ulur ndjeshëm.

Rreth 72% e qytetarëve shqiptarë ndihen të sigurt ose shumë të sigurt kur ecin vetëm në lagjen e tyre, pasi është errësuar. Nga një sondazh i IDRA-s, i kryer në maj 2018 me financim të SCPA-së, rezultonte se 75% e qytetarëve e ndienin këtë siguri. Pra, kemi një rikthim pothuaj në ato nivele të numrit të qytetarëve që ndihen të sigurt në lagjet e tyre, ndërkohë që ka një rritje me pothuaj 10% krahasuar me fillimin e korrikut.

Rezultatet e plota të sondazhit, të shoqëruara me grafikë, si dhe informacionin metodologjik mbi të, mund t’i gjeni në dokumentin bashkëngjitur.


Basha stoik. Rri aty ku është.


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka refuzuar dorën e shtrirë për dialog dhe bashkëpunim të kryeministrit Rama për realizimin e reformës zgjedhore. Në një deklaratë për mediat të enjten Basha, komentoi raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilin e cilësoi si një autopsi të kapjes së shtetit nga Rama. Ai tha se vendi ka nevojë për reformë të thellë zgjedhore dhe politike dhe garantoi se ky do të jetë prioriteti i PD-së, por në asnjë rast nuk foli për zgjedhje të parakohshme. Basha akuzoi Ramën për zhvillimin e zgjedhjeve pa garë, ndërsa mbrojti bojkotin që ai dhe partia që ai drejton i bëri zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Raporti i OSBE/ODIHR e ka rrëzuar farsën e 30 qershorit në çdo aspekt. Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit. Praktikisht ky është një dokument, i cili më shumë se raport zgjedhor ngjan me një raport për një ngjarje kriminale. Ky është raport që realisht përmban prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj  një sërë personash dhe institucionesh. Prandaj, 30 qershori vërtetoi edhe një herë atë që Partia Demokratike ka thënë fuqishëm:


Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është armik i zgjedhjeve, i pluralizmit dhe demokracisë.  Raporti nuk është vetëm autopsia e zgjedhjeve të vdekura të 30 qershorit

Raporti është autopsia e kufomës së shtetit të së drejtës, e qeverisë së popullit dhe drejtësisë, të cilat janë vrarë nga Edi Rama për t’i zëvendësuar ato me një shtet privat, autokratik, kriminal dhe personal”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së, gjeti rastin t’i bëjë avokatin presidentit Meta ndërsa u kujtua për dekretet e tij, njërin prej të cilave nuk e njeh as vetë. Por sërish edhe këtu gjeti vend për të akuzuar Ramën.

“Në shtetin privat të Edi Ramës, dekretet e Presidentit, kryetarit të Shtetit, nuk botohen në Fletore Zyrtare nga Ministria e Drejtësisë siç e kërkon ligji, por zhduken pa lënë gjurmë siç e do Edi Rama”, tha Basha.

Zgjidhja sipas kreut të PD-së, vjen vetëm nga largimi i Ramës nga pushteti. Oferta e Bashës vijon të jetë ajo e bojkotit dhe e thirrjeve Rama Ik. Megjithëse thotë se vendi ka nevojë për reformë të thellë zgjedhore, Basha refuzon të dialogojë dhe të bashkëpunojë me Ramën për këtë çështje. Gjithsesi ajo që bie në sy është se në asnjë rresht të fjalës së tij, Basha nuk bëri thirrje as për protesta dhe as për zgjedhje të parakohshme. Më herët Rama ndërsa komentoi raportin e OSBE-së për zgjedhjet theksoi se me rëndësi është fakti se 30 qershori u certifikua, dhe se tani është koha për dialog dhe bashkëpunim me opozitën për reformën zgjedhore. Ftesë kjo, që u refuzua nga Basha./Realstory.al


OSBE-ODIHR certifikon 30 qershorin, opozita thërret ‘fitore’


Pas publikimit të Raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, ka ardhur reagimi i dy forcave politike kryesore opozitare në vend. Për PD dhe LSI, raporti i ODIHR tregon ‘nevojën jetike për zgjedhje të lira’, duke i lexuar përfundimet e vëzhguesve ndërkombëtarë si ‘fitore të opozitës’. Në një koment në rrjetet sociale, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi shprehet se “ODIHR ‘konfirmuar zgjedhjet antikushtetuese të 30 qershorit”.

“Raporti i ODIHR është konfirmim se Shqipëria ka nevojë jetike për zgjedhje të lira e të ndershme. Më shumë se sa një ligj, një vendim, një rregullore, zgjedhjet demokratike janë vullnet politik. Konfirmimi nga ODIHR se votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 qershorit ‘nuk morën në konsideratë interesin e qytetarëve shqiptarë’, është vlerësim që ndihmon forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri. Me konstatimet se votuesit nuk patën mundësi të zgjidhnin, se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor shkelën ligjin dhe nuk vepruan në pavarësi, se u shkatërrua besimi i publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve, se administratat zgjedhore cenoi besimin e publikut, se në listën e zgjedhsve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike që janë prove e votimit me përfaqësim nga të tjerët, ODIHR i vuri vulën paligjshmërisë së 30 qershorit”, shkruan Bardhi.


Nga radhët e LSI ka reaguar nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili, sipas të cilit, OSBE/ODIHR ka vënë ‘gishtin në plagë’, duke treguar paligjshmërinë në zgjedhjet e 30 qershorit.

“OSBE ODIHR ika vënë vulën e turpit votimeve të Edi Ramës. Shqipëria, për shkak të Ramës ka shënuar faqen e zezë, ka mbajtur votime pa ligj, pa rregulla dhe kundër Kushtetutës. Në raport flitet më shumë se çdo koment. Nuk pati legjitimitet në zgjedhje. OSBE vë gishtin mbi pagë. Konstatimet e OSBE thonë se nuk ka pasur liri të qytetarëve për të votuar. OSBE thotë se dekreti i presidentit për 13 tetorin nuk u publikua në Fletoren Zyrtare, edhe pse publikimi i këtij akti është i detyrueshëm me ligj. Të gjithë kopukët e pushtetit nuk njohin as ligj dhe as Kushtetutë. OSBE shprehet gjithashtu se ka pasur zona kur ka pasur një kandidat. Edhe në zgjedhje që kanë qenë veç vetë, kanë numëruar vetë dhe prapë kanë vjedhur”, është shprehur Vasili.

Por, me gjithë parregullsitë që cilëson raporti në zgjedhjet e 30 qershorit, ODIHR në rekomandimet kryesore të tij shtron nevojën për reformimin e sistmeti zgjedhor. Në këtë drejtim, opozita ende nuk ka është shprehur nëse do të bashkëpunojë, pasi ka marrë ftesë zyrtare nga mazhoranca për të bashkëpunuar. Pra, ndonëse i konsideron si ‘fitore’ gjetjet e raportit të ODIHR, opozita nuk thotë asnjë fjalë për rekomandimet e tij kryesore, dhe konkretisht, reformimin e sistemit zgjedhor. Gjithashtu, raporti i ODIHR, konfirmon zgjedhjet e 30 qershorit si të ligjshme, pra, rrëzon pretendimin e opozitës së zgjedhjet kanë rënë. Por edhe pse pas 30 qershorit opozita ka mbetur pa asnjë pushtet, opozita e quan fitore raportin e ODIHR, që në fakt rekomandon bashkëpunim për përmirësimin e sistemit zgjedhor, gjë të cilën në fakt, e ka thënë në çdo palë zgjedhje që ka vëzhguar. 


Analiza/ Raporti OSBE-ODIHR: Zgjedhjet të qeta, dekretet e Metës rritën pasigurinë. Certifikimi nga KQZ


OSBE-ODIHR ka publikuar Raportin Paraprak për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ambasadorja Aundrey Glover foli në një konferencë për shtyp, ku prezantoi në përgjithësi disa nga gjetjet e këtij raporti. Por, Realstory.al, ka siguruar të plotë raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale, duke sjellë në mënyrë të analizuar gjetjet kryesore të tij. Së pasi, në raport, vlerësohet fakti që zgjedhjet ishin të qeta, ndërsa në raport, vlerësohet dhe procesi i numërimit. “Zgjedhjet ishin të qeta, vlerësohet procesi i numërimit: Ajo çka ishte pozitive, ishte se votimi u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe paqësore, ndërkohë që numërimi u vlerësua në përgjithësi pozitivisht, ndonëse disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë me korrektesë”, shkruhet në raport.

Megjithatë raporti thekson se interpretimet kontradiktore të dekretit të Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve, si dhe thirrjet ndaj zgjedhësve për bojkotim, kanë cënuar, sipas OSBE-ODIHR, besimin e publikut te procesi. “Përbërja e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar zgjedhjet dhe interpretimet kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të Presidentit që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi”.


Raporti vlerëson pozitivisht progresin që ka bërë vendi ynë në raport me barazinë gjinore në zgjedhje. Në një prej pikave të tij, vlerësohet fakti që KQZ-ja nuk ka pranuar të rregjistrojë listat për Këshillat Bashkiake, nga partitë që nuk plotësonin 50% të përfshirjes së secilës gjini. “Në përputhje me ligjin, u regjistruan vetëm ato lista kandidatësh për anëtarë këshillash bashkiakë që plotësonin kushtin e përfshirjes së 50 për qind të secilës gjini, ku një në dy kandidatë t’i përkiste secilës gjini. Sistemi i kuotave ka krijuar një mjedis të favorshëm për pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën politike, por të pakta janë gratë që mbajnë pozicione drejtuese në partitë politike”.

Mungesa e partive opozitare në zgjedhje, pamundësoi, sipas OSBE-ODIHR, zgjedhjen mes alternativave politike, ndërsa shton se ka pasur presione ndaj punonjësve të administratës për të demonstruar publikisht preferencat politike. “Pavarësisht kësaj, zgjedhësit nuk patën mundësi të plota zgjedhjeje mes alternativave politike, duke qenë se partitë kryesore opozitare vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhje. Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u përballën me presione direkte dhe indirekte për të demonstruar preferencat e tyre politike”.

Në raport, evidentohet fakti që mosmarrëveshjet për çështje zgjedhore, përfshirë dhe dekretin për anulimin e zgjedhjeve, u zgjidhën nga organet ligjore, për administrimin e zgjedhjeve, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. “Mosmarrëveshjet zgjedhore u zgjidhën përgjithësisht nga KQZ-ja dhe nga Kolegji Zgjedhor brenda afateve të parashikuara”.

Zhvillimi i zgjedhjeve në kushte paqësore  evidentohet shpesh në raportin e OSBE-ODIHR. Në një prej paragrafëve të këtij raporti, procesi i votimit vlerësohet pozitiv në 94% të qendrave të votimit, megjithëse, janë vrejtur parregullsi, si votimi në grup, në 12% të qendrave të votimit. “Dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht paqësore, me protesta të vogla dhe disa raste të izoluara vandalizmi ose dhune të vërejtura në disa zona. Sipas KQZ-së, votimi nuk mund të zhvillohej në shtatë qendra votimi. Me ndryshime mes bashkive të ndryshme, pjesëmarrja arriti në 21.6 përqind në shkallë vendi. Votimi u vlerësua pozitivisht në 94 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it. Votimi në grup, duke përfshirë edhe votimin familjar, si dhe votimi me prokurë u vu re në 12 përqind të vëzhgimeve. Pothuajse dy të tretat e qendrave të vëzhguara të votimit nuk krijuan mundësi për hyrjen në mënyrë të pavarur të zgjedhësve me aftësi të kufizuar”.

Veprimtaria e opozitës gjatë muajit të fushatës, evidentohet gjithashtu si një nga problematikat e këtij raporti paraprak. OSBE shkruan se dhuna dhe vandalizmi shënjuan protestat e opozitës kundër institucioneve shtetërore. “Protesta të vazhdueshme të opozitës, të drejtuara nga PD-ja, u shenjuan nga dhuna dhe vandalizmi kundër institucioneve shtetërore, duke përfshirë më vonë edhe administratën zgjedhore”.

Ndërkohë, në raport shtohet fakti që kryeministri Edi Rama kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, për të mos cënuar “bashkëjetesën demokratike” dhe krijimin e një precedenti në të ardhmen. “Kryeministri i hodhi poshtë kërkesat e opozitës dhe, duke paralajmëruar se kjo mund të çonte në krijimin e një precedenti që do të kërcënonte atë çka ai e përshkroi si “bashkëjetesë demokratike” të qeverive të zgjedhura dhe të opozitave të tyre parlamentare, bëri thirrje që zgjedhjet të mbaheshin siç ishin planifikuar”.

Në një tjetër moment, OSBE-ODIHR, shprehet se dekretet e 10 dhe 27 qershorit të Presidentit Ilir Meta, kontribuan në pasigurinë juridike dhe politike në vend. “Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike”.

Më tej, vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR, shprehen se thirrjet e opozitës drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, ndikuan negativisht në besimin e publikut te procesi zgjedhor. “Kombinimi i thirrjeve të opozitës drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, anshmërisë politike të autoriteteve bashkiake dhe përbërjes së paekuilibruar të administratës zgjedhore ndikuan negativisht në besimin e publikut te procesi zgjedhor”.

Në këto kushte, OSBE-ODIHR, shkruan se thirrjet e PD dhe LSI, që u kërkonin qytetarëve të mos ushtronin të drejtën për të votuar, dhe në kushtet e një numri të vogël kandidatësh, gara thelbësore që iu ofrua qytetarëve, ishte pjesëmarrja ose jo në zgjedhje. “Si PD-ja, ashtu edhe LSI-ja, u bënë thirrje njerëzve që të mos ushtronin dhunë në ditën e zgjedhjeve. Në rrethanat e një numri të vogël kandidatësh dhe shumë garave pa kundërshtarë, zgjedhja thelbësore që iu ofrua qytetarëve në një mjedis fushate përçarës ishte nëse duhet të merrnin apo jo pjesë në zgjedhje”.

Media televizive, sipas OSBE-ODIHR, ka qenë neutrale por dhe e pozicionuar, ndaj partive politike në vend. Ndërkohë, një nga pikat thelbësore të këtij raporti, është puna e Prokurorisë së Përgjithshme. OSBE-ODIHR shprehet se akuat për thirrje publike për dhunë, organizime të paligjshme, shkatërrim të pronës si dhe pengim të administratës zgjedhore, partitë opozitare i kanë motivuar politikisht disa prej këtyre rasteve. Por, raporti shprehet se mungesa e efikasitetit në hetimet penale të këtyre krimeve, qoftë edhe në të shkuarën, ka krijuar perceptimin e pandëshkueshmërisë së krimeve zgjedhore.

“Akuzat përfshinin thirrje publike për dhunë, organizimin ose pjesëmarrjen në manifestime të paligjshme, bllokim rrugësh, shkatërrim të pronës me lëndë shpërthyese, si dhe pengim të administratës zgjedhore dhe shkatërrim të materialeve zgjedhore. Partitë opozitare i konsiderojnë të motivuara politikisht disa prej këtyre rasteve. Përveç kësaj, disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it shprehën shqetësime rreth mungesës në përgjithësi të efikasitetit të hetimeve penale, gjë që çon në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë për krime zgjedhore në të kaluarën, përfshirë edhe veprat e shitblerjes së votave dhe ushtrimin e presionit mbi votuesit”.

Në fund, raporti fokusohet te dita e zgjedhjeve, ku janë vrejtur disa parregullsi, përfshi hapjen me vonesë të disa qendrave të votimit dhe moszbatimin e procedurave standarde nga komisionerët për hapjen e këtyre qendrave, megjithatë. “Hapja e votimit u vlerësua negativisht në 9 prej 73 qendrave të vëzhguara të votimit, ku gjysma u hapën me vonesë, kurse shumica me më pak se 15 minuta vonesë. Në 11 qendra votimi, vëzhguesit e MVZ-së së ODIHR-it vunë re se nuk u ndoqën procedurat e hapjes së votimit, duke përfshirë mosdepozitimin e të dhënave të vulosjes së kutive të votimit. Votimi qe përgjithësisht i qetë dhe u vlerësua pozitivisht në 94 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it”.

Por, raporti thekson faktin që në shumë bashki, u tentua pamundësimi i zgjedhjeve nga të zgjedhurit vendor të opozitës, të cilët nuk lejuan përdorimin e ambienteve publike të përdoreshin si qendra votimi. “Votimi u krye pas një sërë njoftimesh nga shumica e bashkive të drejtuara nga opozita se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin më 30 qershor. Disa kryetarë bashkish u përpoqën të përdorin kompetencat e tyre për të mos lejuar përdorimin e ndërtesave publike si qendra votimi. Në një numër të vogël qendrash votimi pati dëmtime nga zjarrvënia para ditës së zgjedhjeve”.

Një tjetër aspekt i raportit është fakti se votuesit kanë shfaqur frikë, se pjesëmarrja e tyre në procesin e votimit, do të shfaqte preferencën e tyre politike, sidomos në ato bashki ku PS kandidonte e vetme. “Disa votues kishin frikë se qoftë edhe vetëm pjesëmarrja në votim do të shfaqte preferencën e tyre politike, sidomos në ato bashki ku kandidatët e PS-së garonin pa kundërshtarë”. Ndërsa, shton më tej, se në pothuajse të gjitha qendrat e vëzhguara, procedurat e mbylljes së kutive janë zbatuar me korrektesë. “Në pothuajse të gjitha rastet e vëzhguara, procedurat e mbylljes u ndoqën me korrektesë dhe KQV-të i transferuan materialet në VNV pa vonesë. Transferimi dhe marrja e materialeve u vlerësuan pozitivisht në të gjitha 62 rasteve të vëzhguara, përveçse në 2 prej tyre”. /Relastory.al/


DASH: Qeveria, masa kundër trafikut njerëzor, por ende larg standardeve minimale


Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e tij vjetor për trafikun e qenieve njerëzore, e ka klasifikuar Shqipërinë si vend të nivelit të dytë. Në raporti theksohet se pavarësisht se qeveria po bën përpjekje të konsiderueshme për shmangien e trafikimit të qenieve njerëzore, në disa aspekte kyçe nuk përmbushi standardet minimale.

Në raport thuhet se trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Shqipëri, si dhe viktimat nga Shqipëria jashtë vendit. Gra dhe fëmijë shqiptarë janë objekt i trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.


Sipas raportit, qeveria shqiptare vazhdoi të hetojë, të ndjekë penalisht dhe të kërkojë ngritje akuzash për më pak raste, duke çuar në nivelin më të ulët të veprimeve ligjzbatuese në katër vite.

Megjithatë, raporti thotë se qeveria shtoi përpjekjet për të parandaluar trafikimin, duke miratuar planin kombëtar të veprimit për periudhën 2018-2020.

Trafikantët përdorin premtime të rreme si martesa ose oferta për punësim për t’i joshur viktimat për trafik seksual. Fëmijët zakonisht detyrohen të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar, të tilla si shitja e artikujve të vegjël.