Shkëlqejnë ‘legjionarët’, Balaj dopietë në Austri, Lenjani super gol në Zvicër

SPORT


Bekim Balaj ka dhënë sinjale pozitive për trajnerin Edy Reja, një ditë para grumbullimit në kombëtare. Sulmuesi shtatlart ka shënuar dy gola në kampionatin austriak me ekipin e Strum Graz. Një ndeshje fantastike për Balajn, që gjeti golin e parë në minutën e 30-të të takimit. Pasi mori një asist nga Hierlander, Balaj realizoi me kokë duke kaluar skuadrën e tij në avantazh.

Goli i dytë erdhi në minutën e 95-të të sfidës, kur shkodrani realizoi përsëri me kokë. Me dygolëshin e të dielës, Balaj shkon në kuotën e 3 golave me skuadrën austriake të Strum Graz në vetëm 6 javë kampionat. Gjithashtu, me paraqitjen e tij të mirë, sulmuesi është një garanci dhe për kombëtaren tonë, që do të ketë dy përballje të rëndësishme javën e ardhshme.

Ndërkohë, në Zvicër, Ermir Lenjani i ka siguruar fitoren ekipit të Sion me një gol spektakolar. Mbrojtësi, që tashmë ka ndryshuar rol duke luajtur si sulmues krahu, ka gjetur rrjetën për ekipin e tij në minutën e 17-të.

Ishte një pasim fantastik nga Pajtim Kasami, që nxori të vetëm përballë portierit kundërshtar Lenjanin, i cili i fluturoi topin mbi kokë duke kaluar Sionin në avantazh ndaj Thun. Ky gol ka mjaftuar që Sion të marrë tre pikët e radhës në kampionat, ndërsa Lenjani konfirmon formën e tij të mirë fizike për ekipin kombëtar.



Skip to toolbar