Shkëndija “skuqet” me tre kartonë, largohet nga Europa, dështon dhe Feronikeli

CHAMPIONS LEAGUE


Me tre kartonë të kuq dhe turp, Shkëndija e Tetovës i ka dhënë fund aventurës në Europë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani ka luajtur këtë të martë ndeshjen e kthimit ndaj ekipit të Dudelange në Luxemburg. Ndeshja ka përfunduar në barazim 1-1 por ekipi i Dudelange u kualifikua  pasi fitoi ndeshjen e parë në Tetovë me rezultatin 1-2. Megjithatë, sikur të mos mjaftonte largimi nga Europa, Shkëndija e ka mbyllur ndeshjen me tetë lojtarë, pasi Musliu, Nafiu dhe Ibraimi u ndëshkuan me kartonë të kuq brenda dhjetë minutash.

I pari ishte Musliu, i cili në të 85` mori kartonin e dytë të verdhë, ndërsa Nafiu u ndëshkua në të 90+4` me kartonë të kuq. Nervat dhe tensionit i dhanë ndëshkimin edhe Ibraimit, një minutë pas Nafiut, duke e lënë ekipin me tetë lojtarë në fushë, pavarësisht se vetëm një minutë më vonë ndeshja përfundoi. Pak a shumë i njëjti skenar ka ndodhur edhe me Feronikelin e Kosovës, që është eleminuar nga Slova Bratislava pas humbjes në dy ndeshjet (1-2 ndeshjen e parë dhe 0-2 në të dytën).


Skuadra kosovare u mbeti me dhjetë lojtarë në minutën e 89` të takimit, kur Zeka mori kartonin e dytë të verdhë dhe si rrjedhojë të kuqin. Të enjten do të jetë Partizani që do të luajë ndeshjen e kthimit në transfertë ndaj Sherif Tiraspolit, duke synuar mrekullinë e kualifikimit, pas humbjes në ndeshjen e parë në “Selman Stërmasi” me rezultatin 1-0.




Skip to toolbar