Shkollat, Veliaj: Apel prindërve të shmangin përdorimin e makinës në ditën e parë të shkollës

AKTUALITET


Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po zhvillon një tur për të parë nga afër ecurinë e përgatitjeve në çdo shkollë të kryeqytetit, në mënyrë që ato të jenë gati për të mirëpritur nxënësit. Nga gjimnazi “Ismail Qemali”, Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që dita e hënë të kalojë sa më mbarë.

“Mirëmbajtja duhet të jetë e vazhdueshme, po ashtu edhe higjiena. Kjo është një shkollë, të cilën e kemi rikonstruktuar plotësisht. Falenderoj drejtoreshën, stafin, administratorin e shkollës, që kujdesen që të ketë sa më pak amortizim. Kur në një shkollë mësojnë 1500 çuna e goca me një energji të jashtëzakonshme, mund të përplaset ndonjë derë, e të prishet ndonjë bravë, por më vjen mirë që sjellja e nxënësve të “Ismail Qemalit” është shembullore. Po vendosim disa ndriçues LED, po kryejmë lyerjet e nevojshme, si dhe po bëjmë dezisektimin, dezinfektimin dhe deratizimin e shkollës, për t’u siguruar që higjiena është primare sepse leksionet që na dha Covid-i nuk i kemi vetëm për hall, por jemi gjithmonë të përgatitur. Kjo është detyra jonë”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi faktin se ndihet i lumtur që prindërit i kanë regjistruar fëmijët e tyre në shkollat pranë banesës së tyre, pasi kanë kuptuar se të gjitha shkollat e qytetit janë me kushte moderne dhe cilësi mësimore të njëjtë, si në qendër, ashtu edhe në periferi. Por, Veliaj kërkoi nga prindërit që t’i shoqërojnë fëmijët e tyre për në shkollë në këmbë dhe jo me makinë, për të shmangur trafikun që mund të krijohet.

“Dua ndihmën e prindërve sepse në ditën e parë të shkollës s’kemi pse t’i çojmë fëmijët me makinë. Moti është i mirë, rrugën e bën për 15 minuta në këmbë. Fakti që janë regjistruar vetëm fëmijët e rrugëve përreth, do të thotë që shkolla nuk është më larg se 500-600 metra. Atë 10-15 minutësh mund të ecësh me fëmijën, ta sjellësh në shkollë duke i bërë një bisedë për ta inkurajuar, për ta uruar në ditën e parë të shkollës. S’keni pse ta mbyllni në një ‘burg’ prej metali e të rrini në trafik. Imagjinoni sikur për 170 mijë nxënës që ka Tirana, të dalin të gjithë me 170 mijë makina, ne do shkojmë në një kolaps total. Sikur në vend që të dalim me 170 mijë makina, të dalim me 170 mijë përqafime të prindërve e fëmijëve, ky do ishte vërtet një kontribut për qytetin”, nënvizoi Veliaj.



Skip to toolbar